Arrestohen dy persona në Ferizaj, policia sekuestron 2 armë
Në dy raste të ndara në Ferizaj dje janë sekuestruar armë zjarri.
Rreth orës 18:25, stacioni policor në Ferizaj ka pranuar një informatë për një rrahje në progres në rrugën “Rexhep Bislimi”.
Patrullat policore dhe Njësiti i Hetimeve kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku janë intervistuar të gjithë personat e përfshirë. Nga hetimet është mësuar se, pas një mosmarrëveshjeje verbale, gjashtë persona janë përfshirë në një përleshje fizike.

“Gjatë veprimeve hetimore, nga i dyshuari O.H (22 vjeç) është sekuestruar një armë zjarri (pistoletë) me 4 fishekë, si dhe një armë lodër.
Për rastin është njoftuar prokurori i shtetit dhe janë iniciuar rastet për veprat penale: “Sulmi”, “Kanosja” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. I dyshuari O.H. është ndaluar për 48 orë, ndërsa të dyshuarit e tjerë janë liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftimin e policisë.
Nga ana tjetër, në kuadër të planit operativ “Parandalimi i vjedhjeve”, në fshatin Jezerc, është ndaluar një veturë e tipit Skoda me targa vendore.
“Gjatë kontrollit, tek i dyshuari B.G. (38 vjeç) është gjetur një armë zjarri dhe 6 fishekë. I dyshuari është shoqëruar në stacionin policor në Ferizaj dhe është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës.
Rasti është cilësuar “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, ndërsa i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt”, deklaron policia.


