Arrestohen dy persona për kontrabandim me emigrantë
Policia e Kosovës me njësitet e saj nga Departamenti i Kufirit, më 02.06.2026 rreth orës 21:30, në kuadër të zbatimit të planit operativ “Emigrimi ilegal”, gjatë vëzhgimit të vijës kufitare në afërsi të pikë kalimit kufitar Hani i Elezit, kanë vërejtur një person të dyshuar, duke shoqëruar në këmbë tre persona nga fshati Bllacë-RMV, në drejtim të territorit të Republikës së Kosovës.
Personat e dyshuar, pasi kanë kaluar ilegalisht vijën kufitare, me të arritur në rrugën ndërmjet dy pikë kalimeve kufitare, kanë vazhduar lëvizjen me një automjet që dyshohej se ishte duke i pritur.
Si rezultat i veprimeve të njësiteve patrulluese kufitare është arritur të ndalohet automjeti i dyshuar, në të cilin ndodheshin dy persona të dyshuar meshkuj shtetas të Republikës së Kosovës, si dhe tre emigrantë shtetas të Indisë, të cilët janë kapur në flagrancë gjatë kontrabandimit.
Me urdhër të prokurorit kompetent është iniciuar rasti “Kontrabandim me emigrantë”, përderisa njëri nga personat e dyshuar është dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa i dyshuari tjetër, pas intervistimit në prani të avokatit mbrojtës, është liruar në procedurë të rregullt.
Tre emigrantët janë dërguar në Qendrën e Pritjes për Emigrantë, ku janë trajtuar nga njësia për eigrim dhe të huaj. Gjithashtu, me urdhër të prokurorit, në cilësi të provave materiale janë konfiskuar automjeti i dyshuar me targa vendore, si dhe një telefon mobil.
Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në parandalimin dhe luftimin e krimit ndërkufitar, ruajtjen e kufirit shtetëror dhe garantimin e sigurisë për të gjithë qytetarët.

