13:41 / E Mërkurë, 09 Tetor 2019 / indeksADMonline

Arrestohen dy persona të kërkuar nga gjykata

Policia e Kosovës në Pejë, derisa ishte në ekzekutim të urdhëresës së Gjykatës Themelore të Pejës, në kërkim të të dyshuarit të dënuar me një vit burgim, më 08.10.2019 rreth orës 10:00, në fshatin Katundi i Ri- Pejë, ka arrestuar personin e kërkuar: B.S., i lindur vitin 1982 m/k/rom.

Tek i dyshuari tashmë i arrestuar, i cili ka tentuar të ikte dhe t’i shmangej arrestimit, nga njësitet policore gjatë bastisjes është gjetur një sasi e substancës së dyshuar narkotike që dyshohet të jetë marihuanë.

Ai tashti është i dyshuar edhe për veprën penale “posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.

Për rastin është njoftuar edhe prokurori i shtetit, ndërsa i dyshuari në bazë të urdhëresës së Gjykatës Themelore është dërguar në vuajtje të dënimit në QK Dubravë.

Po ashtu më 08.10.2019 rreth orës 02:30 personi tjetër i dyshuar, shtetasi S.H., (1970) m/k/sh, është arrestuar lidhur me rastin “pengim i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare” dhe është ndaluar për 48 orë në qendrën e mbajtjes në Stacionin Policor, në Istog.

Ai kishte urdhëresë arrestimi për veprën “vrasje e rëndë në tentativë” nga neni 178 paragrafi 8 të KPRK-së nga Gjykata Themelore në Mitrovicë, i cili është ndaluar dhe është dërguar në QK-Dubravë në vuajtje dënimi prej 3 vjet e 6 muajsh, i shqiptuar me aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Mitrovicë.

Ai sot më 09.10.2019 është dërguar në QK-Dubravë nga njësiti policor në Istog për të vuajtur dënimin sipas vendimit të gjykatës./Indeksonline/