20:33 / E Martë, 06 Dhjetor 2022 / shkelqim osmanaj

Arrestohen dy persona, u konfiskohet drogë dhe municion

Hetuesit policor nga njësia e Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotik në Pejë, si rezultat i hetimit të një rasti të mëhershëm ku janë aplikuar edhe masat e veçanta,  pas një pune operativo-hetimore në teren sot më datë 06.12.2022 kanë zhvilluar një operacion të shpejtë-taktik të koduar me emrin “Rrufeja” me

ç‘rast është ndaluar vetura e tipit GOLF-VII, ngjyrë e kaltër të cilën ishte duke e drejtuar i dyshuari nr.1; N.D (1975 mashkull kosovar), ku pasagjer ishte i dyshuari tjetër nr.2; B.K (1973 mashkull kosovar).

Pas kontrollit në trupin e të dyshuarit nr.1 është gjetur dhe konfiskuar sasi e lëndës së dyshuar narkotike e llojit Heroinë, pastaj në konsultim me prokurorin kujdestar dhe me urdhër të GJPP është realizuar kontroll tek shtëpitë e të dyshuarve, ku janë gjetur dhe konfiskuar dëshmitë relevante si në vijim:

  • Kokainë në peshë 234.3 gram,
  • Heroinë në peshë 412.6 gram,
  • Njëzet e nëntë (29) fishek kal.9mm, si dhe
  • Tre (3) telefona mobil.

Dyshohet se substancat narkotike kanë qenë të destinuara për tregun lokal. Të dyshuarit janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës dhe me urdhër të prokurorit janë ndaluar për 48 orë.

Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në parandalimin e të gjitha dukurive negative dhe veprave penale në vend, në veçanti luftë e pa kompromis do të zhvillohet ndaj atyre që merren me abuzimin e substancave narkotike.