Arrestohen tre persona në magjistralen Ferizaj-Prishtinë, policia u gjen marihuanë, kokainë dhe para
Tre persona janë arrestuar nga Policia e Kosovës nën dyshimin për posedim dhe shitje të substancave narkotike në rrugën magjistrale Ferizaj–Prishtinë, transmeton IndeksOnline.
Sipas policisë, rasti ka ndodhur më 1 korrik 2026, rreth orës 23:30, kur njësia ka ndaluar dy automjete në të cilat ndodheshin tre të dyshuar, meshkuj kosovarë. Ata dyshohet se ishin duke shitur substanca narkotike.
Gjatë kontrollit, tek njëri prej të dyshuarve është gjetur një cigare e mbështjellë me substancë të dyshuar të llojit marihuanë me peshë 0.9 gramë, si dhe 330 euro para të gatshme.
Më pas, gjatë bastisjes së banesës së të dyshuarve, policia ka sekuestruar 33 qese me substancë të dyshuar të llojit marihuanë me peshë rreth 96 gram, katër qese me substancë të dyshuar të llojit kokainë me peshë 0.34 gramë, si dhe 1,000 euro para të gatshme.
Me vendim të prokurorit, tre të dyshuarit janë arrestuar dhe pas intervistimit janë dërguar në mbajtje për 48 orë./IndeksOnline/

