14:47 / E Premte, 27 Nëntor 2020 / k.v

Arrestohen tre persona të dyshuar për disa vjedhje të rënda

Nga hetuesit policorë të stacionit Qendra në Prishtinë, janë arrestuar tre persona të dyshuar për disa vjedhje të rënda.

Rastet kanë ndodhur në lokacione dhe periudha të ndryshme kohore kryesisht në Prishtinë.

Puna e hetuesve policorë lidhur me rastet në fjalë, është finalizuar dje, ku pas marrjes së disa veprimeve operative kanë arritur të arrestonin tre persona: A. M. mashkull, 19 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, I.G. mashkull, 19 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës dhe D. M. mashkull, 18 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës.

Në koordinim me Prokurorin e Shtetit dhe gjykatën, hetuesit policorë kanë kryer edhe bastisje në tri lokacione ku kanë arritur të gjenin dhe sekuestronin gjësende që mund të përdoren si prova pas procedimit të rastit në institucionet përkatëse.

Aktualisht hetuesit po kryejnë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore e procedurale, lidhur me rastet në fjalë, ndërkohë që personat e dyshuar janë dërguar në qendrën e mbajtjes.