16:18 / E Premte, 08 Shtator 2023 / mp

Arrestohen për korrupsion dy zyrtarë të lartë të Qendrës për Punë Sociale

Prokuroria Themelore e Prishtinës ka lëshuar aktvendim për ndalimin e dy zyrtarëve të lartë të Qendrës për Punë Sociale në Prishtinë.

Dy zyrtarët e lartë të QPS-së dyshohen për korrupsion.

Sipas një njoftimit të Prokurorisë së Prishtinës, dy të ndaluarit dyshohen për punësimin e kundërligjshëm të rreth dhjetë personave.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë njofton opinionin se ka lëshuar aktvendim mbi ndalimin e dy personave, V.M. dhe V.M., nën dyshimin se të njëjtit në cilësinë e zyrtarëve të lartë të QPS-së në Prishtinë kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, sipas nenin 414 të KPRK-së, ngase të njëjtit dyshohen se gjatë ushtrimit të detyrave të tyre zyrtare, në mënyrë të kundërligjshme, kanë punësuar rreth 10 persona në këtë institucion”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, Prokuroria thotë se të dyshuarit kanë caktuar si menaxher për trajtimin e një rasti të dhunës seksuale, “njërën nga të punësuarat përkundër faktit se e angazhuara nuk i kishte plotësuar kushtet ligjore për të trajtuar një rast të tillë dhe të ndjeshëm”.

Prokuroria në koordinim të plotë me Policinë është duke vazhduar me ndërmarrjen e veprimeve të mëtejshme hetimore lidhur me këtë çështje penale.