14:42 / E Diele, 29 Gusht 2021 / LB

Arrestohet 44-vjeçari i rrezikshëm me 4 emra, ishte i dënuar brenda dhe jashtë vendit

Një 44-vjeçar me katër emra, i dënuar jashtë dhe brenda vendit, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve” është vënë në pranga nga policia e Tiranës.

Uniformat blu kanë bërë të ditur se kanë arrestuar shtetasin në kërkim Eugen Vasili alias Eugen Lici alias Genti Goxhaj alias Gentjan Goxhaj, 44 vjeç, banues në Tiranë.

Njoftimi i policisë:

Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve dhe Interpol Tirana, bënë kapjen dhe ekzekutimin e vendimit për shtetasin në kërkim Eugen Vasili alias Eugen Lici alias Genti Goxhaj alias Gentjan Goxhaj, 44 vjeç, banues në Tiranë.

Këtë shtetas, Prokuroria e Milanos e ka dënuar me 4 vjet e 9 muaj burg për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”

Gjithashtu, ky vendim është njohur dhe nga Gjykata e Apelit Tiranë, e cila ka vendosur se pas ekzekutimit të këtij vendimi, këtij shtetasi i mbeten për të vuajtur edhe 2 vjet e 5 muaj burgim.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Italisë.