13:14 / E Enjte, 24 Shtator 2020 / indeksADMonline

Arrestohet 48-vjeçari, i dënuar me 10 vjet burgim për trafik kanabisi drejt Kosovës

Policia e Mirditës ka vënë në pranga  një 48-vjeçar të  dënuar me 10 vjet burgim, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve” kryer në bashkëpunim.

Operacioni i koduar “Streha e fundit” u zhvillua nga Komisariati- Mirditë dhe forca e posaçme “Shqiponjat”.

“Si rezultat i këtij operacioni, në fshatin Perlat i Epër, Mirditë, u bë lokalizimi, kapja dhe arrestimi i shtetasit Viktor Lekgegaj, 48 vjeç, banues në Mirditë”.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim policor, pasi Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda Tiranë, në vitin 2019, e ka dënuar me 10 vjet burgim, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve” kryer në bashkëpunim.

Shtetasi Viktor Lekgegaj, në vitin 2015, në bashkëpunim me 4 shtetas të tjerë, ka trafikuar lëndë narkotike kanabis, në Kosovë. 

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë, për veprime të mëtejshme procedurale.