19:39 / E Shtunë, 23 Janar 2021 / OSH

Arrestohet ‘El Chapo i Lindjes’, trafikanti që humbi $85mln brenda natës

Një trafikant drogash i njohur ndryshe si ‘El Chapo i Azisë’ është arrestuar së fundmi pas një operacioni dy vjeçar të hetuesve në Australi.

57 vjeçari Tse Chi Lop, u arrestua dje në një avion në Hollandë pas urdhrit ndërkombëtar të lëshuar nga Australia me anë të agjencisë Interpol.

Qytetari kanadez i lindur në Kinë akuzohet si trafikanti më i madh në botë i metamfetaminës karteli i të cilit njihej si ‘Kompania’ apo ‘Sam Gor’, dhe është përgjegjëse për 70% të narkotikëve që hyjnë në Australi.

Tse përballet tashmë me ekstradimin në Australi, me akuza për shpërndarje të të gjitha drogave nga heroina te ketamina e amfetamina, me anë të laboratorëve të tij në disa vende të Azisë.

Zyra e drogave dhe krimit e Kombeve të Bashkuara llogarit se rrjeti i Tse arkëton nga 10 deri në 23 miliardë dollare ne vit nga krimi i organizuar.

Agjenci policore nga 20 vende të botës duke përfshirë SHBA, Kanada, Mianmar, Kinë, Tailandë e Japoni kishin marrë pjesë në operacionin e kapjes së tij, të nisur prej vitit 2019.

Gjetja e Tse ishte e komplikuar prej jetës së tij sekrete dhe prej faktit se mbrohej vazhdimisht nga një grup i ndryshueshëm sportistësh të arteve marciale.

Por megjithse ruante profil të ulët, ai njihet për stilin ekstravagant të jetesës dhe shpenzimet për festa të ekzagjeruara.

Sipas raportimeve është personi që ka humbur $85 milionë brenda një nate në kazinonë e in Macau në Kinë, fluturonte në avionë privatë dhe merrte pjesë në festa luksoze në rezorte e hotele me pesë yje.

Arrestimi i tij kësaj jave erdhi pas dëbimit të tij nga zyrtarët në Taivan drejt Kanadasë, me një ndalesë në Evropë, raporton The Sunday Mail .

Kompania e tij njihej për shpërndarjen e drogave në dërgesa çaji, orizi dhe mallra të tjera konsumi.

Policia tha se organizata e tij vepronte në Azi, Australi, Zelandë të Re, SHBA dhe Evropë, duke krijuar lidhje me grupet kriminale vendase, siç janë organizata Yakuza në Japoni dhe grupet e jashtëligjshme të motoçiklistëve në Australi.

Tse kërkohej nga policia australiane prej tetë vitesh, që prej një aksioni në Melbourne ku u sekuestruan 2kg heroin and metamfetaminë, $4milionë para të thata, $5milionë në prona, $10,000 në bizhuteri, 99 çanta të dizenjuara nga emra të njohur, një veturë Lamborghini dhe $600,000 në çipe kazinoje.