16:19 / E Hënë, 02 Gusht 2021 / k.v

Arrestohet i dyshuari për prezantim të rrejshëm

Sot rreth orës 11:00, policia e rajonit të Prishtinës, ka arrestuar një të dyshuar për veprat: Mashtrim, prezantim i rremë, shantazh, falsifikim i dokumenteve, si dhe manipulim i provave.

Sipas informacioneve të konfirmuara deri më tani, i dyshuari duke shfrytëzuar rrethanat e një rasti tejet të ndjeshëm që po hetohet nga ana e policisë, ka kontaktuar familjarët e viktimës duke provuar ti vë në lajthim dhe duke u prezantuar rrejshëm si person zyrtar, madje edhe si agjent i huaj, ka kërkuar nga ta favore monetare, kinse për zbardhjen e rrethanave të caktuara të rastit.

Menjëherë pas marrjes së këtyre informacioneve, njësia e hetimeve të përgjithshme e rajonit të Prishtinës, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, me shpejtësi ka kryer veprime hetimore preliminare si dhe veprime të tjera operative që rezultuan me identifikimin, kapjen dhe arrestimin e të dyshuarit; S. G. 48 vjeç, mashkull, shtetas i republikës së Kosovës.

I dyshuari u arrestua nën dyshimin për veprat penale të sipër cekura dhe i njëjti me aktvendim mbi ndalimin e personit të arrestuar, të nxjerrë nga ana e prokurorit të shtetit, është dërguar në mbajtje prej 48 orësh për tu proceduar më tej në fazat vijuese të procesit hetimor.