Arrestohet i dyshuari për vrasjen e këlyshëve të arushës (Foto)
Policia e Suharekës ka identifikuar dhe arrestuar një të dyshuar për vrasjen e dy këlyshëve të arushës, rast ky i ndodhur të dielën e fundit në Bukosh të Suharekës.
Indeksonline kishte raportuar po atë ditë për krimin që kishte bërë dikush në malet e këtij fshati.
Hetuesit e policisë menjëherë kishin nis hetimet përkitazi me ngjarjen duke dalë edhe në vendin ku kishte ndodhur vrasja.
Burimet brenda hetuesisë së Prizrenit thonë për Indeksonline se arrestimi i të dyshuarit me inicialet B.K., ka ndodhur të premten dhe i njëjti është marrë në pyetje ndërsa me urdhër të prokurorit rasti vazhdon të hetohet në procedurë të rregullt.
“Njësitet përkatëse të policisë kanë bastisur shtëpinë e të dyshuarit ku kanë gjetur tri armë zjarri të cilat janë konfiskuar dhe do të dërgohen në laborator për hetime të mëtejshme”, thonë burimet e Indeksonline brenda policisë.
Policia në momentin kur kishte dalë në vendin e ngjarjes të dielën kishte gjetur dy gëzhoja të armës të cilat janë konfiskuar.
Sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, dënimi për vepra të tilla është nga 6 deri në 8 vite burg./Indeksonline/