19:17 / E Premte, 28 Korrik 2023 / MSH

Arrestohet i dyshuari që gjuajti me armë dhe granatë dore në koncertin e Mozzikut

Në oborrin e diskotekës ku mbrëmë ka kënduar reperi i njohur, Mozzik, është hedhur një granatë dore dhe ka pasur gjuajte me armë zjarri.

Njësitet policore relevante iu përgjigjen rastit.

Në vendin e ngjarjes u gjet një gëzhojë e armës si dhe një granatë dore e cila ishte e pa shpërthyer.

I dyshuari ishte larguar nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur.

Ndërkohë, Policia njofton se një i dyshuar lidhur me rastin është arrestuar.

“Njësiti i hetimeve rajonale nga Drejtoria rajonale e Policisë Gjilan, pas një pune mirë të organizuar operacionale dhe veprimeve të shpejta hetimore, ka arritur që të identifikojë, lokalizojë dhe arrestojë të dyshuarin me inicialet L.C. (viti i lindjes 2001, mashkull kosovar shqiptar) me dyshimin se i njëjti me datën 28.07.2023 rreth orës 01:50 ka hedhur një granatë dore dhe ka shtënë me armë zjarri në oborrin e një diskoteke në qytetin e Gjilanit.

Zyrtarët policor në koordinim të plotë me prokurorin e shtetit kanë kryer edhe një kontrollë në shtëpinë e të dyshuarit ku është gjetur dhe konfiskuar një armë e llojit TT e cila dyshohet se është përdorur në rast” thuhet në njoftimin e Policisë.

I dyshuari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës dhe nga prokurori i shtetit është lëshuar vendimi mbi ndalimin për 48 orë, ndërsa ndaj tij do të ngritet kallëzim penal për veprat penale “Shkaktim i rrezikut te përgjithshëm’’ dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’.