08:31 / E Mërkurë, 11 Mars 2020 / indeksADMonline

Arrestohet në Budapest serbi që kreu krime lufte, në Kosovë

Gjykata Themelore e Budapestit, ka vendosur të martën për mbajtjen në arrest, në pritje të procesit për ekstradim, të një shtetasi serb, i akuzuar për krime lufte kundër civilëve gjatë luftës në Kosovë.

Një fletarrest ndërkombëtar për këtë person ishte lëshuar prej autoriteteve në Kosovë, ka bërë të ditur gjykata përmes një deklarate, raporton “Daily News Hungary”.

Ky person akuzohet se e kishte goditur dhe përdhunuar një shtatzënë në fshatin Videjë, në qershor të 1999-s, ka thënë Gjykata e Budapestit.

I dyshimti nuk është pajtuar me procedurën e thjeshtësuar të ekstradimit, duke e nxitur gjykatën që të japë urdhër për arrestimin e tij për një periudhë 40-ditore. Gjykata do t’i vlerësojë kushtet për ekstradimin e këtij personi, porsa që ta pranojë kërkesën e plotë për ekstradim, është bërë e ditur.