Arrestohet një diler i drogës në Prishtinë
Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar për blerje, posedim, shitje dhe shpërndarje të paautorizuar të substancave narkotike në Prishtinë, transmeton IndeksOnline.
Sipas policisë, rasti ka ndodhur më 5 maj 2026, rreth orës 13:00. Gjatë kontrollit te i dyshuari, mashkull kosovar, janë gjetur dhe sekuestruar para të gatshme, gjashtë qese me substancë narkotike të llojit marihuanë me peshë rreth 28.4 gramë, si dhe gjashtë kavanoza të mbushur me marihuanë me peshë 22.7 gramë.
Po ashtu, policia ka konfiskuar edhe një pako me cigare të mbushura me marihuanë, tre telefona celularë dhe një peshore digjitale.
Sipas policisë, janë sekuestruar edhe pajisje dhe qese najloni që dyshohet se përdoreshin për paketim dhe shpërndarje të narkotikëve.
Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

