13:54 / E Martë, 03 Shtator 2019 / indeksADMonline

Arrestohet një person për grabitje, në Mitrovicë

Policia e Kosovës, konkretisht Njësia për hetimin e krimeve të rënda, në kuadër të Drejtorisë Rajonale në Mitrovicë, pas një hetimi intensiv, më 3 shtator 2019, ka identifikuar dhe ka arrestuar një person të dyshuar për veprën penale ‘grabitje’.

Arrestimi i të dyshuarit N. B., 40- vjeçar, shtetas i Republikës së Kosovës, është bërë mbi bazën e dyshimeve të arsyeshme dhe provave materiale të siguruara për përfshirje në veprën penale ‘grabitje’ të ndodhur më 24 qershor 2019, në Mitrovicë.

Ecuria hetimore ka rezultuar me domosdoshmërinë e realizimit të dy bastisjeve në dy lokacione të ndryshme, ku si rezultat i bastisjes janë gjetur dhe janë sekuestruar prova materiale që i ishin grabitur viktimës. Në kërkim policor mbetet edhe një person tjetër i dyshuar, identiteti i të cilit është i njohur për hetuesit policorë.

Pas procedurave të nevojshme intervistuese, të dyshuarit i është shqiptuar masa e ndalimit policor 48 orë. /Indeksonline/