75 Mall Live Search
12:57 / E Enjte, 06 Shkurt 2025 / mp

Arrijnë në Guantanamo dhjetë emigrantët e paligjshëm më të rrezikshëm

Emigrantët e parë pa dokumente – të përshkruar nga zyrtarët amerikanë si ” ndwr  më të rrezikshmit ” – po mbahen në qelitë e paraburgimit në Guantanamo, në pritje për t’u dëbuar drejt vendeve të origjinës.

Pentagoni konfirmoi të mërkurën se 10 “emigrantë të paligjshëm që paraqesin kërcënim të lartë” mbërritën një ditë më parë në qendrën amerikane të paraburgimit në Gjirin e Guantanamos. Ata po mbahen nën vëzhgimin e punonjësve të rendit për emigracionin, transmeton klankosova.tv.

Zëri i Amerikës njoftoi fillimisht për transferimin e emigrantëve nga qendra ushtarake “Fort Bliss” e Teksasit me një avion ushtarak të martën. Sipas Pentagonit, transferimi i emigrantëve që përbëjnë kërcënim të lartë në qendrën e paraburgimit në Gjirin e Guantanamos është një masë e përkohshme.

Agjencia amerikane për zbatimin e ligjeve të emigracionit, ICE, po ndërmerr këtë veprim për t’u siguruar që këta individë të dërgohen në vendin e tyre të origjinës ose destinacione të tjera të përshtatshme, thuhet në një deklaratë të Pentagonit, trasnmeton klankosova.tv.

Sekretarja e Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara, Kristi Noem, postoi të martën në rrjetin X foto të disa prej emigrantëve teksa po përgatiteshin të hipnin në aeroplanin ushtarak. Ajo i quajti ata “ndër më të këqijtë” ndërsa paralajmëroi se përpjekja për t’i dëbuar ata sapo ka filluar.

Departamenti i Sigurisë Kombëtare tha më vonë se të këta emigrantë që po transportoheshin me avionin ushtarak ishin anëtarë të bandës famëkeqe venezuelase me shtrirje ndërkombëtare “Tren de Aragua”. Zyrtarët nuk thanë se kur dhe si ishin ndaluar ata. Shtëpia e Bardhë ka njoftuar planet për të përcaktuar “Tren de Aragua” si një organizatë e huaj terroriste.

Në një postim në rrjetin X të mërkurën, zonja Noem tha se departamenti i saj ishte përgjegjës për arrestimin brenda disa ditësh të “vrasësve të dënuar, përdhunuesve, abuzuesve të fëmijëve, trafikantëve të drogës, pjesëtarëve të bandës MS-13 dhe anëtarëve të kartelit”.

Që nga urdhri ekzekutiv i Presidentit Trump muajin e kaluar, Pentagoni ka vendosur 300 ushtarë në Guantanamo për të krijuar hapësirat e nevojshme për strehimin e emigrantëve të paligjshëm.

Ata kanë ngritur tenda për të strehuar emigrantët brenda një zone të rrethuar në një pjesë të veçantë të bazës detare. Këto objekte nuk janë ende gati për emigrantët, sipas rrjetit televiziv Fox News.

Emigrantët që mbërritën të martën do të mbahen në objektin e paraburgimit, sipas një zyrtari amerikan. Burgu i Guantanamos njihet kryesisht për strehimin e të burgosurve ushtarakë dhe të dyshuarve për terrorizëm, mes tyre dhe të përfshirët në sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001 dhe talebanët.

Në urdhrin e tij ekzekutiv muajin e kaluar, Presidenti Trump udhëzoi departamentet e Mbrojtjes dhe të Sigurisë Kombëtare që të përgatisin bazën detare në Guantanamo për të strehuar deri në 30,000 emigrantë.

“Disa prej tyre janë aq të rrezikshëm sa nuk u besojmë as vendeve të tjera që t’i mbajnë, sepse ne nuk duam që ata të kthehen mbrapa. Pra, ne do t’i dërgojmë në Guantanamo”, tha Presidenti Trump.