17:39 / E Shtunë, 18 Nëntor 2017 / indeksADMonline

Arrin në 19 numri i të vdekurve nga përmbytjet në Greqi

Numri i të vdekurve nga përmbytjet tragjike të regjistruara në periferinë perëndimore të Athinës, sot ka arritur në 19 persona, pas gjetjes së tre trupave të tjerë, bëhet e ditur nga autoritetet.

Deri të premten në mbrëmje, bilanci i përmbytjeve ishte 16 të vdekur dhe 6 të zhdukur.

“Trupat e tre burrave të zbuluar të shtunën, të moshës 28, 58 dhe 35 vjeç u identifikuan nga të afërmit e tyre. Ne po vijojmë ende kërkimet për të paktën tre persona që rezultojnë të zhdukur”, tha për median, Nikos Papaefstathiou, drejtor i shërbimit të qendrës kombëtare operacionale të shëndetësisë.

Dy nga tre viktimat u gjetën nga policia portuale në Gjirin Eleusis, në afërsi të Mandras, një nga tre lokalitet, të prekura nga këto përmbytje të njëpasnjëshme dhe shirave të rrëmbyeshme.

Në Mandra gjithashtu, ekipet e shpëtimit zbuluan mes baltës trupin e një personi. Dëshpërimi dhe zhgënjimi kanë zënë vend tek banorët e Mandras dhe të Nea Peramos, ku të paktën 2500 shtëpi dhe dyqane janë shkatërruar plotësisht.