12:24 / E Hënë, 05 Dhjetor 2022 / B O

Arsenijeviq e konfirmon tërheqjen e kandidaturës për kryetar të Mitrovicës së Veriut, tregon arsyet

Kryetari i Iniciativës Qytetare “Mbijetesa serbe”, Aleksandar Arsenijeviq ka tërhequr kandidaturën për kryetar të Mitrovicës së Veriut. Këtë e ka konfirmuar për IndeksOnline  vet Arsenijeviq.

Ai ka thënë se arsyeja që ka tërheq kandidaturën lidhet me kthimin e serbëve në institucione, të cilët masivisht i kanë lëshuar ato në shenjë proteste ndaj vendimit të Qeverisë për targat.

Arsenijeviq thotë se e ka përmbushur premtimin dhe ka treguar qëndrueshmëri “ndryshe nga opsionet e tjera politike”, si dhe pjekuri dhe pavarësi në vendimmarrje “ndryshe nga disa aktorë të opozitës në Mitrovicë dhe më gjerë”.

Ai me rastin e paraqitjes së kandidaturës tha se është “masë e përkohshme” dhe se ka mundësi që ta tërheqë brenda afatit ligjor nëse nuk fillojnë bisedimet për formimin e Bashkimit të Komunave Serbe dhe nëse serbët nuk e bëjnë këtë, kthehen në institucionet që po bojkotojnë dhe nga të cilat janë larguar.

“Kemi konstatuar se nuk ka mundësi që zgjedhjet të zhvillohen në mënyrë reale dhe për këtë arsye themi se vendimi ynë do të ndikojë edhe në vendimin që procesi zgjedhor të përsëritet edhe për disa kohë më stabile”, konsideron Arsenijeviq.

Ai shton se sot ka skaduar afati për kthimin në institucione, përveç gjyqësorit, që, shton ai, do të thotë se nga e hëna do të jetë e pamundur që serbët të kthehen masivisht në institucione, në vend të tyre do të shpallen konkurset e punës.

“Shfrytëzuam afatin ligjor për të tërhequr kandidaturën. As KQZ-ja dhe as Qeveria në Prishtinë nuk dhanë udhëzime të qarta se si do të mbahen zgjedhjet, por sipas statistikave tona, duke qenë se shkollat ku janë mbajtur zgjedhjet janë nën juridiksionin e Serbisë, votimi do të bëhet në shumicë shqiptare. Në pjesë të Mitrovicës, Mahallës së Bosnjës dhe Suva Dolit. Qytetarët tanë e kanë të pamundur të kalojnë nëpër rrethojën e policisë për të votuar”, thotë Arsenijeviq./Indeksonline/