11:50 / E Mërkurë, 21 Nëntor 2018 / indeksADMonline

As Gjermania, Franca e Spanja nuk janë më të forta se Kosova në këtë aspekt

Përfaqësuesja e Kosovës shënoi sukses të jashtëzakonshëm me fitoren e djeshme në Ligën e Kombeve.

Në ndeshjen e vlefshme për Grupin 3 të Ligës D, Kosova arriti ta mposhtë Azerbajxhanin me rezultat të thellë, 4-0.

Me këtë fitore, Kosova inkuadrohet në Ligën C dhe kualifikohet në gjysmëfinalet e Ligës së Kombeve, që zhvillohen pas eliminatoreve për EURO 2020.

4 fitore, 2 barazime, 0 humbje, 15 gola të shënuar dhe 2 gola të pranuar e karakterizojnë Kosovën në këtë kampanjë deri më tani, shkruan IndeksOnline.

E natyrisht, ky është një sukses i jashtëzakonshëm për djelmoshat e Bernard Challandes, të cilët s’dinë për humbje që prej tetorit të vitit 2017.

Sa i përket fuqisë në sulm, Kosova ka pasur një gol dallim prej 13 golash, pra me 15 të shënuar dhe vetëm 2 të pranuar.

E këtë statistikë impresive nuk e ka regjistruar asnjë Kombëtare deri më tani në Ligën e Kombeve në këtë fazë.

Madje, Kosova qëndron edhe më lartë se Kombëtaret si Spanja, Kroacia, Anglia, Gjermania e Franca në këtë aspekt.

Përndryshe, Kosova në gjysmëfinalet e këtij kompeticioni do të përballet me Maqedoninë në Shkup në marsin e vitit 2020./IndeksOnline/

Temat: