19:26 / E Martë, 30 Tetor 2018 / indeksADMonline

Asamblistja e AAK-së punësohet në Ministrinë e Pal Lekajt

Asamblistja e AAK-së në Komunën e Rahovecit, Florije Boshnjaku, është përzgjedhur që tash e tutje të drejtojë Zyrën Ligjore në Ministrinë e cila udhëhiqet nga bashkëpartiaku i saj, Pal Lekaj.

Por, ajo nuk do të japë dorëheqje nga pozita e asamblistes komunale deri në nënshkrimin e akt-emërimit, ngase siç thotë ‘konkursi mund të anulohet’.

“Gazeta Jeta në Kosovë” ka gjetur se Florije Popaj-Boshnjaku, e cila aktualisht mban pozitën e asamblistes në Komunën e cila udhëhiqet nga AAK-ja, tash e tutje pritet të transferohet me punë në një ministri e cila udhëhiqet po ashtu nga AAK-ja. Nga e zgjedhur politike në Rahovec, ajo do të kalojë në shërbimin civil në Ministrinë e Infrastrukturës në Prishtinë.

Konkursi për drejtor/eshë në Departamentin Ligjor në Ministrinë e Infrastrukturës ishte shpallur më 18 shtator 2018, ndërsa më 26 tetor, Florije Boshnjaku shpallet kandidatja më e suksesshme për këtë pozitë.

E kontaktuar nga “Gazeta Jeta në Kosovë”, Bonshjaku thotë se e kanë pranuar në këtë pozitë ngase e ka merituar dhe jo pse ka pasur ndikime nga AAK.

“Jo [nuk ka ndiku AAK], të gjitha kriteret mendoj që i kam plotësu. Çkado që ju intereson mundeni me bisedu me Ministrinë”, i ka thënë Boshnjaku “Gazetës Jeta në Kosovë”.

E pyetur se pse nuk ka aplikuar në ndonjë ministri tjetër, por pikërisht në Ministrinë që udhëhiqet nga partia e saj, ajo ka thënë se ku e sheh të arsyeshme se mund të japë kontribut, aty aplikon.

“Aty ku e shoh të arsyeshme që e shoh që muj me dhonë kontributin tem, aty aplikoj”, ka thënë ajo.

Të zgjedhurve politikë nuk u ndalohet aplikimi në pozita në shërbimin civil, por ata nuk mund të jenë më aktiv në politikë.

Në pikën 3 të nenit 17 të Ligjit për Shërbimin Civil thuhet se ‘Nëpunësit civilë nuk mund të mbajnë pozita drejtuese në parti politike dhe të jenë aktivë politikisht’.

E pyetur se a do të dorëzojë mandatin e asamblistes, Boshnjaku thotë se këtë do ta bëjë vetëm pasi të nënshkruajë kontratën dhe të kalojë afati i ankesave.

“Jo nuk muj me heqë dorë pa kalu afati i ankesave… Nuk muj tash, se nesër mu anulu konkursi me thanë kam hekë dorë. Kam me shku qysh janë procedurat”, thotë juristja me profesion.

Popaj-Boshnjaku thotë se ka punuar që nga paslufta, dikur ka qenë drejtoreshë e Qendrës për Punë Sociale, ndërsa më vonë ka drejtuar edhe departamente në Komunën e Rahovecit.

“Gazeta JnK” ka provuar të kontaktojë edhe ministrin e Infrastrukturës, Pal Lekaj, por ai nuk është përgjigjur në thirrjet tona.

Po ashtu, “Gazeta Jeta në Kosovë” ka dërguar pyetje edhe tek sekretari i MI-së dhe shefi i kabinetit të ministrit, ku ka pyetur nëse ka pasur ndikime politike në punësimin e asamblistes së AAK-së, por nuk ka marrë përgjigje.

“Gazeta JnK” ka kërkuar qasje në MI edhe në CV-të dhe testet me shkrim të kandidatëve për këtë pozitë, si dhe raportin final të komisionit përzgjedhës.