08:30 / E Enjte, 09 Janar 2020 / indeksADMonline

Asetet e sistemit financiar arrijnë vlerën 7 miliardë euro

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka njoftuar se gjatë tremujorit të tretë të vitit 2019 asetet e sistemit financiar vazhduan trendin e rritjes duke shënuar rritje vjetore prej 12.5 përqindësh dhe duke arritur vlerën prej 7 miliardë eurosh në fund të periudhës raportuese.

Sipas BQK-së, kontributin kryesor të zgjerimit të aktivitetit të sistemit financiar vazhdon ta ketë sektori bankar, pasur nga sektori pensional. “Rritja e aseteve të sektorit bankar u mundësua kryesisht nga rritja e aktivitetit kreditues, që erdhi si rezultat i kërkesës së rritur për kredi dhe përmirësimit të kushteve të kreditimit. Gjatë TM3 2019, vlera e kredive të lëshuara shënoi rritje, mirëpo krahas tremujorit të tretë të vitit paraprak, kjo vlerë ishte më e ulët, e ndikuar kryesisht nga rënia e kredive për korporatat jofinanciare. Zgjerimi i aktivitetit kreditues u mundësua nga zhvillimet pozitive të depozitave, të cilat vetëm gjatë TM3 2019 u rritën për 310.3 milionë euro”, është thënë në raportin e vlerësimit tremujor të zhvillimeve makroekonomike të BQK-së.


Referuar këtij raporti, rritje më të theksuar kishin depozitat e ekonomive familjare, pjesa më e madhe e të cilave përbëhet nga depozitat e transferueshme. “Norma e interesit në depozitat e korporatave jofinanciare shënoi rënie për 0.2 pikë përqindje krahas periudhës së njëjtë të vitit paraprak, ndërsa norma e interesit në depozitat e ekonomive familjare shënoi rritje të lehtë për 0.04 pikë përqindje. Sektori bankar edhe gjatë TM3 2019 vazhdoi të ketë performancë të mirë si rezultat i rritjes më të lartë të të hyrave krahas shpenzimeve. Rritja e të hyrave në baza tremujore ishte 11.5 për qind, e mundësuar kryesisht nga rritja e të hyrave nga interesi. Në anën tjetër, shpenzimet shënuan rritje më të ngadalësuar prej 4.7 përqindësh”, është thënë në raportin e BQK-së.


Sipas këtij raporti, sa i përket shëndetit financiar, sektori bankar vazhdoi të ketë nivel të ulët të kredive joperformuese prej 2.3 përqindësh dhe rritje të mbulueshmërisë së tyre me provizione prej 161.2 përqindësh. “Për më shumë, indikatorët përkatës sugjerojnë që niveli i kapitalizimit dhe likuiditetit të sektorit është në nivel të kënaqshëm. Sektori pensional si sektori i dytë për nga pesha e rëndësisë në sistemin financiar, edhe gjatë këtij tremujori vazhdoi të ketë kthim pozitiv në investime dhe rritje të kontributeve të reja. Këto zhvillime mundësuan rritjen e aseteve në përgjithësi. Sektori i sigurimeve në baza tremujore shënoi përmirësim të aktivitetit bazuar në trendin e rritjes së primeve të shkruara dhe dëmeve të paguara. Përkundër rezultateve negative financiare në fund të periudhës, vetëm gjatë TM3 2019 fitimi neto shënoi rritje”, është thënë në raportin e BQK-së, duke u shtuar se sektori mikrofinanciar u karakterizua me rritje të aktivitetit si për nga ana e aktivitetit kreditues, ashtu edhe nga performanca e realizuar. “Gjatë TM3 2019 në tregun e letrave me vlerë shuma e borxhit të emetuar nga Qeveria e Kosovës ishte 105 milionë euro dhe norma mesatare e interesit në letrat me vlerë ishte 2.11 për qind”, është theksuar në raport.


Sipas këtij raporti, deficiti në llogarinë e mallrave arriti vlerën prej 1.26 miliard eurosh deri në shtator 2019, që paraqet një rritje vjetore prej 3.3 përqindësh. Përderisa në vitin 2018 ishte shënuar rënie e eksportit të mallrave dhe përshpejtim i rritjes së importit, në vitin 2019 është duke u shënuar rritje e eksportit të mallrave dhe rritje më e ngadalësuar e importit. “Kjo ka ndikuar që shkalla e mbulueshmërisë së importeve me eksporte të ketë një përmirësim nga 10.8 për qind sa ishte në shtator 2018 në 11.3 për qind në shtator 2019. Eksporti i mallrave deri në shtator 2019 ka shënuar vlerën prej 288.8 milionë eurosh, që është për 9 për qind më shumë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2018”, është thënë në raportin e BQK-së.