Ashpërsimi i gjuhës së politikanëve kosovarë ndaj BE-së shprehë zhgënjimin e madh për vizat
Ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha ditë më parë ka paralajmëruar se votimi për liberalizimin e vizave në Këshillin e Ministrave të BE-së në fillim të këtij dhjetori mund të shtyhet nëse nuk sigurohet shumica e votave të nevojshme.
Kjo gjë ka bërë që të reagojnë politikanët vendor të cilët kanë kërkuar nga BE lëvizjen e lirë për qytetarët e Kosovës.
Madje mund të thuhet se është ashpërsuar gjuha e tyre politike karshi BE.
Ishte kryeministri i vendit Ramush Haradinaj duke bërë thirrje që liberalizimi i vizave të hiqet, ka thënë se “është keq BE të gënjej”.
Por ashpërsimi i një gjuhe të tillë nuk po shihet si ndonjë rrezik i madh nga ana e njohësit të çështjeve politike, Ramush Tahiri.
Në një prononcim për Indeksonline ai ka thënë se ashpërsimi i gjuhës së politikanëve kosovar shprehë zhgënjimin e madh në pritjet e mëdha për liberalizim të vizave. Por, sipas tij, kjo gjë nuk sjellë ndonjë dobi apo frikëson dikë, veçse përfundon me tërheqjen e politikanëve kosovarë nga fjalët e thëna.
“Ashpërsimi i gjuhës së politikanëve kosovarë ndaj BE-së e shprehë zhgënjimin e madh në pritjet për premtimet që kanë qenë reale apo të supozuara. Tash politikanët e Kosovës po ndihen të pafuqishëm sepse nuk po dinë si të arsyetohen përpara popullit për mos-liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës që të udhëtojnë lirshëm e pa pengesa në vendet e Evropës. Ashpërsimi i fjalorit nuk është se sjell ndonjë dobi dhe nuk është që e frikëson dikë dhe që i detyron institucionet evropiane të lëshojnë pe. Kjo zakonisht përfundon me tërheqje të politikanëve kosovarë nga fjalët e thëna”, ka deklaruar Tahiri.
Por sa i përket afateve kohore njohësi i çështjeve të Integrimeve Evropiane, Avni Mazreku thotë se për këtë kanë faj vetë institucionet e vendit dhe se kjo është një dëshmi që zyrtarët e vendit duhet të kenë kujdes të madh dhe të mos përmendin afate kohore, pasi ato nuk varen nga Kosova.
Sipas tij, Institucionet e Kosovës përmes deklaratave të pamatura po ushqejnë shpresat e njerëzve dhe për këtë ata po ndihen të zhgënjyer.
“Nuk duhet të bazohemi në deklaratat e dhëna nga institucionet e Kosovës, sidomos në Ministrinë e Integrimeve Evropiane për shkak se që një kohë të gjatë e kanë karakterizuar disa deklarata shumë kontradiktore prandaj duhet të rezervohen dhe të kuptojnë se nuk mund të japin qëndrime sa i përket afateve kohore kur nuk varet nga shteti jonë. Çështja e marrjes së vendimit final për Kosovën varet krejtësisht nga qëndrimi i shteteve anëtare të BE-së dhe qëndrimi i shteteve nuk mund të parashikohet. Prandaj duhet të jenë të vetëdijshëm për këtë çështje dhe të rezervohen nga deklaratat e pamatura me të cilat i kanë ushqyer shpresat e njerëzve dhe qytetarët tani ndihen edhe të zhgënjyer”, ka thënë Mazreku./Indeksonline/