09:30 / E Enjte, 15 Mars 2018 / indeksADMonline

Asnjë rast nga kafshimet e gjarprinjve këtë vit

Në Kosova ekzistojë tri lloje të gjarpërinjve helmues, vdekjeprurës. Vendet më të rrezikuara me prezencën e tyre janë ato ku ka gurë dhe shkëmbinj, ka thënë për Radio Kosovën Daut Rexhepi, zoolog. Ndërsa, Hamdi Ramadani, drejtor në Klinikën Infektive në QKUK, ka thënë se këtë vit nuk është shënuar asnjë rast i kafshuar nga gjarpri.

Zoologët e mohojnë se në Kosovë ekziston një lloj gjarpri më i rrezikshëm në botë. Sipas Daut Rexhepit, Kosova është e njohur për dy grupe të gjarpërinjve, ato helmuese dhe jo-helmuese.

“Janë tri lloje që gjenden në Kosovë, është Vipera Ammodytes-(Amoditës) që njihet si gjarpri i gurit, Vipera berus (beris) ose “ gjarpri shtriga” dhe Vipera Ursini macrops. Prej këtyre gjarpërinjve me se shumti ka gjarpër Vipera Ammodytes dhe është gjarpër jashtëzakonisht i rrezikshëm. Vendet që janë prej diellit në anën lindore dhe vendet që kanë gurë dhe shkëmb janë vende të preferuara që të banojnë këto lloje të gjarpërinjve”, tha zoologu Rexhepi.

Ndërsa, Hamdi Ramadani, drejtor i Klinikës Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, tha se klinika ka serum të mjaftueshëm në rast se paraqitet ndonjë pacient që është kafshuar nga gjarpri helmues.

“Nuk kemi raste deri tash të regjistruara. Jemi të furnizuar me serumin që quhet serumi kundër kafshimit të gjarprit –SAV- (Serumi Anti Viperinum). Kështu që ne i kemi diku dhjetëra doza të serumit. Kështu që mendojmë se mjaftojnë deri në muajin qershor-korrik”, tha Ramadani.

Rexhepi, ka një këshillë për qytetarët të cilët preferojnë që vikendin ta kalojnë në natyrë.

“Individët zakonisht kur dalin në natyrë, duhet të kenë kujdes veçmas që pjesët e duarve dhe gjymtyrëve poshtë mos të jenë të zhveshura, për faktin se mundësia është më e madhe të kafshohen si dhe pastaj të helmohen nga kafshimi i gjarprit”, tha Rexhepi.

Me të rrezikuarit nga kafshimi i gjarprit janë fëmijët, sepse nuk kanë njohuri të mjaftueshme për rrezikshmërinë që ata mund të sjellin, ndërsa prindërit duhet të jenë të kujdesshëm për fëmijët e tyre, thonë mjekët.