13:05 / E Hënë, 14 Janar 2019 / indeksADMonline

Associated Press raporton për përshëndetjet e Haradinajt dhe Thaçit me ish-bashkëluftëtarët

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj është takuar të dielën me dy shokët e tij të luftës, të cilët u përgatitën për t’u marrë në pyetje nga prokurorët e një gjykatë të posaçme për krimet e luftës.

Kështu nis raportimi i ‘Associated Press’ lidhur me përshëndetjet që kryeministri Ramush Haradinaj si dhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ia bën ish-bashkëluftëtarëve të tyre.

Haradinaj publikoi fotografi nga takimi që pati me ish-pjesëtarët e UÇK-së, Sami Lushtaku dhe Rrustem Mustafa, duke thënë se lufta e viteve 1998-1999 ishte e pastër dhe e shenjtë.

“Së bashku do të dalim nga kjo sfidë”, shkroi tutje Haradinaj.

AP shkruan se Mustafa do të intervistohet të hënën dhe Lushtaku të mërkurën nga Prokuroria e Specializuar. Zyra është pjesë e një gjykate të themeluar në vitin 2015 që supozohet të hetojë akuzat në drejtim të ish-luftëtarëve të UÇK-së për krime të kryera gjatë dhe pas luftës, transmeton Indeksonline.

Po ashtu thuhet se Gjykata në fjalë qeveriset nëpërmjet ligjeve të Kosovës, por udhëhiqet nga gjyqtarë dhe prokurorë ndërkombëtarë duke u financuar nga Bashkimi Evropian, e bazuar në Holandë në mënyrë që të parandalohet kërcënimi i mundshëm i dëshmitarëve.

Ishte edhe presidenti Hashim Thaçi i cili gjithashtu shprehu mbështetjen e tij për të dy ish-bashkëluftëtarët.

“Ju jeni heronjtë e luftës dhe ju gjithmonë do të mbeteni të tillë për institucionet e Kosovës dhe popullin”, shkroi Thaçi në publikimin e fotografisë së tij me Lushtakun dhe Mustafën.

AP raporton gjithashtu se para fluturimit për në Hagë, Lushtaku tha para gazetarëve se do të ndjehej keq nëse nuk do të ftohej për t’u intervistuar nga kjo Gjykatë, përderisa Mustafa deklaroi se ndjehet i pafajshëm.

Gjykata u ngrit pas presionit të SHBA-së dhe BE-së katër vjet pas një raporti të publikuar në vitin 2011 nga Këshilli i Evropës, organi më i lartë i të drejtave të njeriut./Indesonline/