22:29 / E Hënë, 18 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Asteroidi shpëton nga rrezet diellore falë mbrojtjes misterioze

Një asteroid me formë të çuditshme që ka hyrë në sistemin tonë diellor ka shpëtuar nga nxehtësia e madhe e rrezeve të diellit pasi është i mbështjellë me “diçka” speciale, thonë studiuesit.

Objekti i njohur Oumuamua është nënshtruar një nxehtësie prej 300 gradë Celsius derisa po kalon në sistemin diellor, por falë mbështjellësit të trashë prej gjysmë metri ka shpëtuar pa avulluar.

Shkëmbi, në formë të cigares, është vërejtur kohë më parë dhe besohet të jetë objekti i parë alien në sistemin tonë.

Michele Bannister, studiuese, thotë se shkëmbi duket të jetë nga një botë e huaj.

“Objekti kaloi pranë Diellit dhe nuk ishte aspak i nxehtë. Sipërfaqja e tij është e përbërë nga një shtresë e materialit izolues. Ne nuk e dimë se çfarë ka brenda, por nëse përmban akull, ai do të mund të jetë i izoluar nga shtresa në sipërfaqe”, tha ajo.

Oumuamua mendohet të jetë një asteroid, por forma e saj e zgjatur si cigare, qindra metra e gjatë, është shumë e pazakontë për një shkëmb të hapësirës.