16:16 / E Diele, 07 Shkurt 2021 / AR

AstraZeneca: Vaksina jonë ofron më pak mbrojtje për variantin e Covid-19

Vaksina e “AstraZenecas” mund të rezultojë me një mbrojtje të limituar kundër mutacioneve të virusit Covid-19, kryesisht atij nga Afrika e Jugut. Lajmi u konfirmua nga vetë kompania që ka prodhuar vaksinën e Oxfordit “AstraZeneca”, bazuar në studimet e para mbi mutacionet e ndryshme të koronavirusit dhe efektit kundër tyre.

Në studim saktësohet se ende nuk ka të dhëna të qarta se sa kjo vaksinë na mbron nga variantet e ndryshme të koronavirusit, duke theksuar se ajo lufton vetëm Covidin-19 me efikasitet. Sipas ministrit britanik të Shëndetësisë, bashkë me vaksinën, do të duhet të bëhen edhe vaksinat kundër gripit të zakonshëm, që ajo të ketë më shumë efekt.

Më shumë se 100 raste të reja me variantin e Afrikës së Jugut janë zbuluar në Britani, mbi të cilët kanë nisur menjëherë studimet. Profesoreshë Sarah Gilbert, arkitektja e vaksinës së “AstraZenecas” thotë se kërkuesit kanë nisur punën për krijimin e një vaksine të reja, disenjuar për të luftuar pikërisht versionin e Afrikës së Jugut, që me gjasë mund të jetë gati për përdorim në vjeshtë të këtij viti.

Vaksinat e prodhuara deri sot rezultojnë të efektshme për versionin fillestar të koronavirusit, por shkencëtarët besojnë se në shumicën e rasteve, mund të jenë funksionalë edhe për variantet e reja të Covidit-19 edhe pse nuk është ende e qartë sesi këto vaksina mund të japin rezultatin e dëshiruar, në mutacione krejt të ndryshme. Studimet e ditëve të fundit kanë provuar ndërkohë se vaksina e “Pfizer” -“BioNTech”-ut siguron mbrojtje edhe kundër varianteve të reja të koronavirusit, po ashtu edhe ajo e “Modernas”.