09:14 / E Mërkurë, 26 Korrik 2023 / AR

ATK, në implementim të Projektit “Personat e Pasur”

Administrata Tatimore e Kosovës, rikujton të gjithë personat të cilët krijojnë të ardhura, se në bazë të legjislacionit tatimor janë të obliguar të deklarojnë dhe të paguajnë saktë detyrimet tatimore.

Bazuar në Planin Strategjik 2022-2026 dhe Planin e Trajtimit të Rreziqeve për vitin 2023, ATK ka hartuar Planin e Veprimit për të përmirësuar përmbushjen tatimore të personave të pasur lidhur me detyrimet e tyre tatimore për Tatimin në të Ardhurat Personale, të cilat i përcakton legjislacioni tatimor. Përmes këtij plani, ATK do të kryejë aktivitete me qëllim të identifikimit të personave të pasur, të cilët nuk deklarojnë dhe nuk paguajnë saktë detyrimet tatimore.

Qëllimi i Projektit “Personat e Pasur” është identifikimi i personave të pasur duke përdorur bazë të të dhënave në formë sistemi/platforme e cila mundëson ndërlidhjen me institucione qeveritare, jo qeveritare, financiare me qellim të trajtimit tatimor të kësaj kategorie, rritjen e numrit të deklarimeve dhe pagesës së tatimit nga kjo kategori e tatimpaguesve, si dhe zvogëlimi i hendekut tatimor si rezultat i mos deklarimit të të ardhurave nga personat me të ardhura të larta.

Fushëveprimi i këtij projekti do të jetë i shtrirë në kategorinë e personave si në vijim:

Kategoria I – Personi, pasuria e të cilit është mbi 1 milion Euro deri në 5 milion Euro;

Kategori II – Personi, pasuria e të cilit është mbi 5 milion Euro deri në 10 milion Euro;

Kategoria III – Personi, pasuria e të cilit është mbi 10 milion Euro deri në 20 milion Euro; dhe

Kategoria IV – Personi, pasuria e të cilit është mbi 20 milion Euro.

Administrata Tatimore e Kosovës, u bënë thirrje të gjithë personave që të përmbushin të gjitha detyrimet tatimore të parapara me legjislacionin tatimor, gjegjësisht të deklaroni dhe të paguani saktë tatimin, në të kundërtën, do të ndërmerren masat e përcaktuara me legjislacionin tatimor.

Me kryerjen e detyrimeve tuaja tatimore, ju kontribuoni direkt në ofrimin e shërbimeve publike, arsimim me standarde të larta, shërbime më të mira shëndetësore dhe sociale, mbrojtje ligjore dhe siguri, si dhe infrastrukturë të përgjithshme për një mirëqenie të qëndrueshme ekonomike dhe shoqërore.

Paguaj tatimin, fuqizo shtetin!