10:31 / E Premte, 16 Shkurt 2018

ATK: Prioritet parandalimi dhe luftimi i ekonomisë jo-formale

Ekonomia jo-formale në shkallë të gjerë dëmton interesat fiskale të Qeverisë, duke shkaktuar zvogëlimin e të hyrave për buxhetin e shtetit. Kjo dobëson infrastrukturën shtetërore, si dhe aftësinë e saj për të ofruar shërbime më të mira publike.

Kështu thuhet në një komunikatë të Administratës Tatimore të Kosovës, ku theksohet se ndikimet e ekonomisë jo-formale nuk kufizohen vetëm në sektorin publik, por ato ndikojnë me të madhe edhe në aktivitetet e biznesit legal.

Sipas ATK-së, ekonomia jo-formale shtrembëron konkurrencën e ndershme dhe ul konkurrencën midis kompanive.

“Aktivitetet biznesore të punës joformale dhe evazioni sistematik tatimor, dobësojnë mbrojtjen e punonjësve dhe shoqërisë në përgjithësi. Qeveria e Republikës së Kosovës, ka treguar vullnet për të parandaluar dhe luftuar ekonominë jo-formale. Kjo është bërë duke hartuar dhe zbatuar një sërë ligjesh shtetërore në përputhje me standardet ndërkombëtare, si dhe duke krijuar Strategjinë Kombëtare për Parandalimin dhe Luftimin e Ekonomisë jo-formale. Administrata Tatimore e Kosovës, si institucion i specializuar dhe me autorizime të veçantë ligjore për të parandaluar dhe luftuar ekonomin jo-formale dhe evazionin fiskal, ka ndërmarrë dhe do të ndërmerr veprime përkatëse ligjore në funksion të zbatimit të kësaj strategjie të Qeverisë. Kështu që ndër

prioritetet e administratës tatimore, janë parandalimi dhe luftimi i ekonomisë jo-formale, në këtë kontest edhe i shmangies tatimore. Rezultatet e mira të arritura ng a ATK, përmes shumë aktiviteteve të zhvilluara, në parandalimin dhe luftimin e ekonomisë jo-formale, janë vlerësuar edhe në raportin e fundit të publikuar nga Komisioni Evropian. Ku thuhet se tek pjesa ku ka përgjegjësi ATK-ja, ka rënë niveli i ekonomisë jo-formale dhe është rritur niveli i të hyrave. Krahas aktiviteteve tjera operative të ATK-së, vlen të theksohet së gjatë vitit 2017, vetëm nga Departamenti i Hetimeve Tatimore dhe Inteligjencës janë realizuar 338 aktivitete për verifikim të shmangieve tatimore, si dhe janë kryer 5 bastisje”, thuhet në komunikatë.

Kurse sa i përket dyshimeve për shmangie tatimore, ATK thotë se janë hapur 32 raste për hetime tatimore, si dhe janë zhvilluar 266 intervista me të dyshuar dhe dëshmitar për shmangie nga tatimi. DHTI, për institucionet e zbatimit të Ligjit ka ofruar 223 informata.

“Veç tjerash, janë kryer 22 raporte të kontrollit dhe gjatë kësaj periudhe rezultatet nga shmangia tatimore, janë realizuar në vlerë prej: 667,014.00 euro, pa ndëshkime dhe interesa. Administrata Tatimore, i fton të gjithë bizneset dhe qytetarët që ushtrojnë çfarëdo aktiviteti afarist, t`iu përmbahen kërkesave ligjore në fuqi, të deklarojnë dhe paguajnë me kohë tatimet sipas ligjeve në fuqi, në mënyrë që mos të jenë pjesë e masave ndëshkuese penale, të konfiskimit dhe sekuestrimit te pasurisë”, thuhet në komunikatë

Temat: