08:53 / E Diele, 10 Korrik 2022 / LB

Atletico Madrid ka refuzuar katër gjigantë evropianë këtë verë për Joao Felix

Joao Felix nuk do të largohet nga Atletico Madrid, së paku jo gjatë afatit kalimtar të verës.

Sulmuesi portugez ka tanimë tri vite që është pjesë e Los Colchoneros dhe vlerësohet shumë, pavarësisht se nuk ka arritur pritshmëritë në kryeqytetin spanjoll.

Megjithatë tek klubi bardhekuq besojnë shumë në të dhe nuk e kanë ndërmend ta lejojnë largimin e tij.

E përditshmja spanjolle AS ka raportuar se Atletico Madrid këtë verë ka refuzuar katër gjigantët evropianë që u interesuan për Joao Felixin, duke i bërë me dije se ai nuk është në shitje.

Manchester City, Manchester United, PSG dhe së fundmi Bayern Munich ishin katër skuadrat e mëdha që tentuan transferimin e Felix, por ofertat e tyre janë refuzuar nga Atletico Madrid.

Felix e ka pëlqimin e klubit dhe ai nuk është në listën e transferimeve, për më tepër portugezi ka një kontratë afatgjate deri në vitin 2026 me Los Colchoneros.

22-vjeçari gjithashtu ndihet mirë në kryeqytetin spanjoll, pasi ditë më parë tha se nuk e ka në mendje largimin nga skuadra e udhëhequr nga Diego Simeone.