11:29 / E Martë, 05 Qershor 2018 / indeksADMonline

Auditori gjen parregullsi në ndërmarrjen “Hortikultura”

Zyra Kombëtare e Auditorit ka evidentuar shumë parregullsi në ndërmarrjen komunale të Prishtinës Hortikultura, ndër to është se kjo ndërmarrje është pa bord që prej vitit 2014.

Kjo është bërë e ditur gjatë shqyrtimit të raportit të auditimit në Komisionin për Mbikëqyrje Financiare.

Driton Selmanaj, kryetar i komisionit tha se raporti i auditorit është më negativi i mundshëm dhe raporti më i keq që ka pasur ky Komision.  Ai tha se për këtë duhet të ftohet në raportim edhe kryetari i Komunës së Prishtinës.

Selmanaj tha se janë pasqyruar në raport të auditorit mbi 700 mijë euro të keq menaxhuara në Hortikultura, përcjell KosovaPress.

Drejtues të Hortikulturës kanë thënë për këto mjete në fajle ka gabime teknike, por jo ndonjë keqpërdorim të mjeteve.

Isak Rakovica, nga Hortikultura tha se kjo ndërmarrje menaxhohet 100 për qind nga komuna e Prishtinës dhe është aksionare kjo komunë.

“Asnjë keqpërdorim s’ka ndodhur, por gjendja në ndërmarrje varet prej aksionarit i cili i raporton bordi”, ka thënë Rakovica.

Komisioni ka miratuar raportin e Autoritetit të Aviacionit Civil  dhe të Organit Shqyrtues të Prokurimit, ngase këto dy raporte ishin trajtuar në mbledhjen e kaluar.