09:43 / E Hënë, 06 Janar 2020 / indeksADMonline

300 zjarre aktive në Australi, 24 viktima dhe 100 mijë të zhvendosur, në Sidnei, temperatura 48.9 gradë Celsius

Ka shkuar në 24 numri i të vdekurve si pasojë e zjarreve që prej disa javësh kanë shkatërruar rajone të tëra të Australisë.

“Dëmi është i konsiderueshëm, i krahasueshëm me dëmet e shkaktuara nga një bombë bërthamore”, thanë autoritetet në një konferencë shtypi.

Gjendja e jashtëzakonshme e shpallur në juglindjen e kontinentit ishull, njëkohësisht dhe rajoni më i populluar, gjë e cila iu dha mundësi 100 mijë njerëzve të evakuoheshin nga qytetet e tyre, ndërkohë që dje Sidnei regjistroi temperaturën rekord, 48.9 gradë Celsius, e regjistruar në Penrith, një qytezë në periferinë perëndimore kurse në kryeqytetin Canberra, temperatura arriti në 45 gradë.

Përballë një situate të tillë kryeministri Scott Morrison urdhëroi grumbullimin dhe shpërndarjen e më shumë se 3000 rezervistëve në terren për të ndihmuar në shuarjen e zjarreve, një mobilizim që nuk është parë kurrë më parë. Sipas autoriteteve, zjarret kanë djegur një zonë të barabartë me dyfishin e madhësisë së Belgjikës.

Sipas “Fondit botëror të jetës së egër”, rezulton se zjarret e furishme në Australi kanë zhdukur gjithashtu rreth 500 milionë kafshë nga më të ndryshmet. Teksa njerëzit janë larguar nga rreziku i zjarreve stafet mjekësore veterinare dhe zjarrfikësit po përpiqen të shpëtojnë me sa mundet kafshët e mbetura.



Imazhe dramatike të kafshëve të cilat janë djegur të gjalla, kanë pushtuar rrjetet sociale, ndërkohë që mijëra kafshë të tjera janë shpëtuar nga banorët dhe nga shërbimet veterinare. Më të rrezikuarat janë kafshët si Koala apo Kanguri specie këto simbol i Australisë por që janë seriozisht të rrezikuara.