14:56 / E Shtunë, 22 Gusht 2020 / indeksADMonline

Austriakët sjellin superveturën luksoze për rrugë dhe gara

Kompania austriake Jubu Performance ka përgatitur superveturën me çmim prej më së paku 248 mijë euro.

Fjala është për modelin e quajtur JP Zero, superveturën për gara me strukturë të përbërë nga karboni. Po ashtu, është e bazuar në modelin Exige të Lotusit.

“Kemi marrë strukturën e Exiget dhe në të kemi zhvilluar një model tërësisht të ri. Pothuajse çdo gjë, nga amortizatorët e deri te timoni, tërësisht janë të reja, është dizajnuar dhe punuar në punëtorinë tonë në Austri. Gjatë procesit të zhvillimit jemi fokusuar në thjeshtësi dhe lehtësi”, ka thënë Martin Jung, themeluesi i kompanisë Jubu Performance.

JP Zero ka motor 3.5-litër Twin-Turbo V6 dhe do të jetë në dispozicion në tri versione: ZEROrace, ZEROtrack dhe ZEROstreet, transmeton KOHA. Versioni për gara do të garojë në klasën GT2, ndërsa versioni për rrugë do të jetë superveturë luksoze me strukturë nga karboni. Shoferët do të kenë mundësinë që të rregullojnë fuqinë e motorit përmes një butoni nga 410 deri 610 kuajfuqi ndërsa versioni ZEROstreet ka kapacitet prej 740 kuajfuqi.

Jung, po ashtu, përmend se arritjen më të madhe kanë bërë me marshin DCT. Sipas tij, ky marsh mund të qëndrojë mbi 100 orë vozitje. “Ai është një nga arritjet më e madhe që kemi bërë gjatë këtij projekti. Marshi ynë DCT është i lehtë për përdorim. Po ashtu, mund të shndërrohet nga manual në automatik”, sqaroi Jung.

Versioni ZEROrace peshon 960 kilogramë. Porositë për versionet ZEROrace dhe ZEROtrack pritet të fillojnë në pranverën e ardhshme, ndërsa ZEROstreet nuk do të arrijë deri në pranverën e vitit 2022.