23:31 / E Hënë, 17 Korrik 2023 / AR

AUV themelon shtabin e krizës për Murtajën Afrikane të Derrit

Është regjistruar sot rasti i parë i prezencës se sëmundjes ‘Murtaja Afrikane e Derrit’ në komunën e Kllokotit. Agjencia e Ushqimit dhe e Veterinarisë njoftoi se ekipet e saj kanë dalë ne terren dhe pas marrjes së mostrave, kanë izoluar fermën.

Zëdhënësi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Lamir Thaçi, tha se rreziku qëndron në përhapjen edhe fermat tjera.

Ai më tej tha se kur është konfirmuar rasti, menjëherë janë ndërmarrë veprimet në terren, ku janë asgjësuar të gjithë derrat që kanë qenë prezent në këtë fermë dhe është kryer dezinfektimi i fermës, duke shtuar se në perimetër prej 3 kilometrash është filluar me hulumtime diagnostiko, nëse mund të ketë edhe ndonjë fermë tjetër shenja klinike të kësaj sëmundjeje, ku deri më tani ai konfirmoi se nuk ka ndonjë rast të dyshimtë.

“Agjencia e Veterinarisë dhe Ushqimit ka themeluar shtabin e krizës, i cili drejtohet nga drejtori ekzekutiv dhe të gjithë jemi në gjendje gatishmërie dhe ekipet janë në terren për të ndërmarrë masat parandaluese për përhapjen e sëmundjes, në mënyrë që të mos dëmtohen ekonomitë familjare, si dhe ekonomia e shtetit”, deklaroi Thaçi për RTK.

E lidhur me mundësinë e transmetimit të kësaj sëmundjeje te njerëzit, Thaçi bëri të ditur se nga hulumtimet e bëra deri më tani nuk del se kjo sëmundje mund të bartet te njeriu, ndonëse, shtoi ai, duhet pasur kujdes që asnjë kafshë me sëmundje klinike nuk lejohet të theret për konsum.

Tutje, ai kërkoi të vazhdohet edhe më tej bashkëpunimi agjenci-fermer në të mirë të konsumatorëve.

Thaçi e mohoi lidhshmërinë e kësaj sëmundjeje me temperaturat e larta që po mbretëron tani në vendin tonë, teksa shtoi se agjensioni ka bërë njoftimin te fermerët për masën e biosigurisë për vetëmbrojtje.