01:43 / E Mërkurë, 05 Dhjetor 2018 / indeksADMonline

Hoti i ikë pyetjes se pse u falsifikuan nënshkrimet e deputetëve

Para pak çastesh përfundoi debati për dështimin e liberalizimit të vizave, seancë kjo e jashtëzakonshme e thirrur nga LDK-ja dhe VV-ja.

Pasi u konsultua me deputetët e LDK-së, Konjufca njoftoi se votimi për rezolutën shtyhet për ditën e enjten.

Në listën nënshkruese për thirrjen e kësaj seancë të jashtëzakonshme të iniciuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, u gjenden dy nënshkrime të vjetra të deputetëve të Alternativës, përkatësisht Ilir Dedës dhe Mimoza Kusari- Lila.

Kjo e fundit për Indeksonline mohoi se ka nënshkruar një kërkesë për seancë, duke thënë se gjendet jashtë Kosovë, konkretisht në Podgoricë.

Ajo hodhi akuza në drejtim të LDK-së, se këta të fundit i kanë falsifikuar asaj dhe deputetit Deda, nënshkrimet e tyre.

Mirëpo, Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avduallah Hoti, iniciues i kësaj seance, i ka ikur pyetjes së Indeksonline se pse i kanë përdorur nënshkrimet e vjetra të dy deputetëve.

Ai as nuk ka mohuar e as pohuar, duke thënë vetëm merreni transkriptën e asaj çka ka folur në Kuvend përkitazi me këtë temë.

Pavarësisht insistimit, ai i iku pyetjes së Indeksonline siç shihet edhe në video.

“Nuk kam çka më thënë, të gjitha i thash në Kuvend. Po, merreni transkriptën e Kuvendit”, thoshte ai, duke mos u përgjigjur në pyetjen konkrete se pse janë përdorur nënshkrime të vjetra të deputetëve.

I pyetur përsëri se a mund të akuzohet për falsifikim të nënshkrimit, Hoti, sërish nuk është përgjigjur.

Pasi reaguan deputetët se nuk i kanë nënshkruar kërkesën për seancë, Hoti është arsyetuar se gabimisht kërkesës së kaluar iu kanë bashkëngjitur edhe dy deputetët e Alternativës.

Por, Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi ka thënë se falsifikimi i tillë i nënshkrimit, mund të jetë edhe shkelje e nenit të 70-të të Kushtetutës së Kosovës./Indeksonline/