23:25 / E Shtunë, 26 Nëntor 2022 / MSH

Avokatët kosovarë për pretendimet për dëshmi të rrejshme në Hagë: Skandal i radhës i Prokurorisë së Specializuar

Në pritje të drejtësisë, në Hagë tash e dy vjet janë ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi. Derisa janë të akuzuar për krime lufte, procesi gjyqësor kundër tyre nuk ka nisur ende. Për më tepër, së fundmi avokati Ben Emmerson ka ngritur pretendime se Prokuroria e Specializuar në Hagë është shërbyer me dëshmi të rrejshme nga një pjesëtar i shërbimit sekret serb.

Një person i Shërbimit Sekret Serb ka bashkëpunuar me Prokurorinë e Specializuar dhe ka ofruar dëshmi të rrejshme kundër Hashim Thaçit e Kadri Veselit. Këto janë pretendimet e avokatit të Kadri Veselit, Ben Emmerson, i cili këto pretendime i ka dorëzuar në Gjykatën Speciale.

E tërë kjo lidhet me dosjet që dorëzoheshin në zyrat e Organizatës së Veteranëve të Luftës para dy vjetësh.

Në parashtrimin e dorëzuar në këtë Gjykatë nga Emmerson, thuhet se në tetor 2022, një dëshmitar doli për të pretenduar se Veseli dhe Thaçi ishin përgjegjës për dokumentet e zbuluara që ishin në qendër të Gucatit. Sipas këtij parashtrimi thuhet se këtë vit, dëshmitari i tërhoqi pretendimet e tij dhe pretendoi se jo vetëm që ai kishte gënjyer, por se ishte vënë në gënjeshtër nga një informator i cili ka qenë në kontakt të rregullt me Prokurorin e Specializuar. Më tej thuhej se të dy individët duket se kanë lidhje me inteligjencën serbe.

Këtë, avokati i akredituar në Dhomat e Specializuara, Artan Qerkini e ka quajtur si skandal të radhës të Prokurorisë së Specializuar në Hagë. Ai ka thënë se Prokuroria si organ shtetëror nuk duhet të mbështetët në provat e inteligjencës, sepse provat që vijnë nga Serbia dihet se nuk mund të jenë të mira për të pandehurit.

“Marrë parasysh edhe skandalet e tjera edhe këtë skandal të fundit vërtetë kredibiliteti i prokurorisë nuk është në nivelin që duhet të jetë sepse prokuroria e ka për obligimi zbardhjen e rasteve e jo vetëm të merrë prova madje të falsifikuara”, thotë Qerkini për RTK-në.

Taulant Hodaj po ashtu avokat i akredituar në Dhomat e Specializuara ka thënë se Kosova mund të reagojë në këso lloj rastesh kur është në pyetje prekja e interesit vital të Kosovës.

” Në kuadër të rregullave dhe procedurave lejohet që autoritete e Kosovës të bëjnë parashtrime të caktuara … dhe mund të veprojë kur preket interesi vital i Kosovës. janë institucionet e autorizuara që mund të bëjnë këtë dhe jo çdo deputet e kështu me radhë. Besoj që Kosova duhet ta ketë një ekip të fuqishëm i cili duhet t’i mbikëqyrë këto dhe të bëjë parashtrimi konform rregullave dhe procedurës në çdo rast kur shihet që veprime konkrete përmes një dëshmie mund të preket interesi vital i Kosovës”, thotë Hodaj.

Që nga nëntori i vitit 2020, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi gjenden në paraburgim në Hagë, nën pretendimet e Gjykatës Speciale për akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.