12:52 / E Shtunë, 10 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Avokati i Popullit publikoi Letër Rekomandim përkitazi me qasjen në raportet finaciare të partive politike

Avokati i Popullit i ka përcjellë sot Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), një Letër Rekomandim përkitazi me qasjen në raportet financiare dhe raportet e shpenzimeve të disa partive politike.

Rasti është hapur sipas ankesës së përfaqësuesit të Institutit Demokratik të Kosovës (KDI) kundër KQZ-së, lidhur me kufizimin e të drejtës për qasje në dokumente publike.

Përfaqësuesi i KDI-së, më 13 janar 2017 i është drejtuar, Zyrës për Regjistrimin e Partive Politike dhe Certifikim të KQZ-së, me kërkesë për qasje në raportet financiare dhe raportet e shpenzimeve të disa partive politike.

Institucioni i Avokatit të Popullit (IAP) më 17 maj 2017 ka kërkuar nga KQZ informata në lidhje me mos përgjigjen në kërkesën e KDI-së, dhe arsyen e kufizimit të së drejtës për qasje në dokumente publike, mirëpo asnjëherë nuk është pranuar përgjigje.

Avokati i Popullit duke i bërë referencë Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe instrumenteve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, Ligjit për Qasje në Dokumente Publike, praktikës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, praktikës gjyqësore të sistemit gjyqësor të Kosovës, si dhe rekomandimeve të Raportit të Komisionit Evropian të vitit 2016 për Kosovën, ka konstatuar se kufizimi i të drejtës së KDI-së për qasje në dokumente publike, është kufizim i pabazuar në ligj.

Së këndejmi, Avokati i Popullit i ka rekomanduar KQZ-së, që në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Ligjin për Qasje në Dokumentet Publike, t’i ofrojë KDI-së, qasje në raportet financiare dhe në raportet e shpenzimeve të partive politike.

Letër Rekomandimi në fjalë i është përcjellë KQZ-së, si autoritet përgjegjës dhe i njëjti u është përcjellë mediave dhe është publikuar në ueb faqen zyrtare të IAP-së, në: http://www.ombudspersonkosovo.org/repository/docs/Letra_e_AP_2,_07.02.2018_981323.pdf