14:08 / E Mërkurë, 04 Korrik 2018 / indeksADMonline

Avokati i Popullit: Situata aktuale në Hade është geto për banorët

Banorët e Hades shprehin vuajtjet e tyre shëndetësore, sociale dhe pronësore për shkak të gjendjes së rëndë në atë zonë të minierave të KEK-ut.

Ata thonë se ndihen të diskriminuar, pasi institucionet, në këtë rast Qeveria po bën shkelje të të drejtave të njeriut.

Përfaqësuesi i banorëve të Hades, Jonuz Grajçevci u ankua për shëndetin e banorëve të këtij fshati duke treguar se pesë anëtarë të familjes së tij i kanë vdekur nga  kanceri.

Ai gjatë një diskutimi në Komisionin parlamentare për të Drejtat e Njeriut lidhur me vendimin e qeverisë për themelimin e grupit teknik me qëllim të propozimit të zhvillimit të Minierës së Re të Korporatës Energjetike të Kosovës, kërkoi zgjidhje për këto vuajtje të cilat po i përjetojnë.

“Kam dëshirë me ta thënë në sy, na ke premtuar një takim, të gjithë drejtorët kisha pas dëshirë me qenë këtu para meje, dhe le të dalin të ma arsyetojnë mua si inxhinier, pse është një opsion sipas jush perëndimor, pse është jugu më i favorshëm. Veç unë po ju them ishalla jemi shëndosh e kemi shëndetin, se banorët e Hadës veç po shkojnë. Pesë anëtarë të familjes i kam nga kanceri të vdekur. Nëse nuk besoni kemi institucionin, prej babës, dy vilazën dhe motra, të gjithë kanë vdekur prej kancerit”, ka thënë Grajçevci.

Edhe Ragip Grajçevci, përfaqësues i fshatit Hade, ka thënë se banorët e këtij fshati janë të bllokuar qe më shumë se 40 vjet dhe se nuk janë pyetur asnjë herë për problemet dhe për vendimet që merren në Qeveri për fshatin e tyre. Ai shtoi se pavarësisht deklaratave të qeverisë se kanë bërë zgjidhje për banorët e Hadës, kjo sipas tij nuk ka ndodhur.

“Ne banorët e Hades me tokat tona, me pronat tona, ne bëjmë pjesë të parët që prekemi nga shëndeti, nga humbja e pronës dhe nga aspekti social jemi të parët, mirëpo, ne pyetemi të fundit. Unë dëgjova ministrin, por me ne nuk konsultohet askush. Merren me ekspertë, me grupe ku vjen një gjerman atje dhe bënë analiza, kurse ne e dimë më mirë, sepse qe 35 vjet unë punoj aty, në atë minierë… edhe një porosi për kryeministrin dhe ministrat: “Që po bëhet zgjidhje për Hade dhe Shipitullë”. Ju lutemi le të ndanë termin se zgjidhje për Hade nuk është bërë… 250 shtëpi mbesim edhe 40 vjet, ndërsa qe 70 vjet merret thëngjilli, toka, prona banorëve të Hadës”, ka thënë Grajçevci.

Për shkelje të drejtave të njeriut për banorët e Hades foli edhe Avokati i Popullit Hilmi Jashari gjatë një raportimi para Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore dhe Persona të Pagjetur.

Ai ka thënë se  gjendja në terren dhe të drejtat e banorëve të Hades nuk janë normale dhe se është momenti për të gjetur një vendim përfundimtar.

“Situata aktuale është një lloj getoje, që i ka vu këta banorë përballë gjatë gjithë kësaj situate nga viti 2004, pa përjashtuar asnjë qeveri, mirëpo si qeveri prej 2004 deri më tani ka reflektuar në shkelje të drejtave të këtyre banorëve”, deklaroi Jashari.

Ndërsa, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka thënë se projekti i ri për ‘Kosovën e Re’ parasheh që të bëhet një minierë e re e thëngjillit për të siguruar thëngjill për 40 vitet e ardhshme.

KEK-u, sipas tij,  ka angazhuar një kompani konsulentë gjermane ku do të vlerëson kahen e hapjes veri – jug të minierës së re dhe tregon anët negative dhe pozitive. Mirëpo, tutje tha se çfarëdo opsioni që merret shikohet impakti social dhe mjedisor.

“Brenda këtyre ditësh apo në këtë muaj ata (kompania) duhet me ardhur me një vendim përfundimtarë se nga cila anë duhet të shkoj miniera e re e thëngjillit. Prapë, po them merret parasysh edhe impakti social dhe duhet merren, mirëpo është edhe pjesa tjetër, sepse çdo kosto shtesë që e rëndon minierën, do të thotë që do të kemi kosto më të lartë të thëngjillit, që do të thotë do të kemi çmim më të lartë të energjisë për secilin qytetar. Prandaj, është me rëndësi të parashihet edhe kjo punë, e jo të shikohen vetëm disa grupe të caktuara. Prapë, po them në kohë më afatgjate Hadja nuk e ka vendin aty, me të vërtet është e rrethuar me thëngjill dhe nuk është e shëndetshme për të jetuar aty”, ka thënë ministri Lluka.

Ai me këtë rast bëri të ditur se shpronësimi në Shipitullë parashihet  të kushtojë rreth 27 milionë euro, ndërsa për shpronësimin në Hade ai nuk pret të ndodhë e njëjta gjë dhe nuk duhet vepruar me atë praktikë.

Ndërsa, anëtari i Komisionit Salih Zyba ngriti çështjen e manipulimit nga Qeveria për shpronësim dhe ndërtim pa leje. Ai ka thënë se ka pasur manipulime nga Qeveria për vlerësim.

“Ministër ishe pa saktë kur e interpretove ligjin për ndërtime. Në këtë formë të deklarimit publik duhet të ketë përgjegjësi më të madhe, sepse po flasim, nëse ka qenë vlera e shpronësimit 3-4 milionë e tash ka kaluar 60 milionë, pikërisht kjo Task forcë që e përmende, kjo ka arrit me ndryshuar këtë vlerë. Është bërë manipulimi në vlerësim, krejt këto ndërtime që janë ndërtuar pas vitit 2013, janë të kundërligjshme”, theksoi Zyba.

Ndërsa kryetarja e Komisionit Duda Balje kërkoi sqarime për ndërtimet pa leje dhe mungesën e kushteve për jetë në Hade.

“Si qytetare e Kosovës, jo si deputete, ne kemi informata se manipulimi ka qenë shumë i madh dhe për shkak të manipulimeve banorët kanë problem, ne duhet me pasur një takim edhe me Bankën Botërore, nëse ka pasur ndërtime pa leje nuk munden me u kompensuar. Këto, ministër nuk janë shtëpia, janë ndërtesa. Unë nuk jam ekspert, por kur kam qenë, i kam parë, situata ka qenë shumë e keqe. Edhe emrat i kemi kërkuar që gati dy javë dhe jemi duke i pritur, se kush janë pronarët në këto banesa pa leje”, ka thënë Balje.

Zëvendës ministër i Financave Mustafë Grainca në këtë diskutim ka thënë shkurt se kjo ministri është në pritje të zgjidhjes, dhe konform këtij vendimi do të veprojë.