20:09 / E Enjte, 23 Maj 2024 / L K

Avokati Vranovci tregon se çfarë rëndësie ka për Kosovën miratimi i Rezolutës për Srebrenicën

Me rastin e miratimit të Rezolutës së OKB-së për Gjenocidin në Srebrenicë, Avokati i mirënjohur për çështje ndërkombëtare Arsim Vranovci, deklaroi se miratimi i Rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme për caktimin e 11 korrikut si Dita Ndërkombëtare e Reflektimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit të 1995 në Srebrenicë shënon një sukses të madh të bashkësisë ndërkombëtare për njohjen e gjenocidit të kryer nga shteti serb ndaj viktimave të pafajshme dhe të paarmatosura boshnjake. Sipas rezolutës, kjo datë do të përkujtohet çdo vit dhe iu bën thirrje shteteve anëtare të OKB-së, organizatave të sistemit të OKB-së, organizatave tjera ndërkombëtare dhe regjionale, shoqërisë civile, institucioneve akademike e akterëve tjerë që ta shënojnë këtë ditë ndërkombëtare përmes aktiviteteve edukuese dhe ndërgjegjësuese.

Për më tepër, sipas Avokat Vranovcit, sot, Asambleja e Përgjithshme i dha një goditje të fortë përpjekjeve të vazhdueshme dhe të turpshme të shtetit serb për mohimin e gjenocidit të ndodhur në Srebrenicë dhe i respektoi viktimat e gjenocidit serb. Edhe pse kjo ndodhi 3 dekada më vonë, prapëseprapë, është një satisfaksion moral për familjarët e viktimave të cilët akoma kërkojnë drejtësi për këtë krim, i cili është krimi më i madh që ka ndodhur në tokën Evropiane që nga lufta e dytë botërore.

Miratimi rezolutës përkundër që i kufizuar tek gjenocidi i kryer në Srebrenicë, sipas Avokat Vranovcit, kjo hapë rrugë edhe për Republikën e Kosovës dhe Kroacisë që edhe për gjenocidin dhe krimet e luftës në Kosovë dhe Kroaci, të përkujtohen viktimat në këtë nivel dhe të reflektojë shteti serb që kurrë më, mos të përsëriten krime të tilla e me shpresë që Serbia edhe të ndërgjegjësohet dhe ta pranojë fajin për shkaktimin e tmerreve si Kosovë, Bosnje dhe Kroaci. Fatkeqësisht, viktimat nuk mund të ngjallen më, mirëpo, përkujtimi i tyre dhe satisfaksioni për familjarët dhe bashkëkombësit e tyre, duhet njihet në rrafsh ndërkombëtar sikurse sot dhe të trajtohet sipas të drejtës ndërkombëtare humanitare, përkatësisht sipas Konventave të Gjenevës.

Në fund, Avokat Vranovci, deklaroi që shpresojmë dhe lutemi që ngjarjet si Srebrenica dhe krimet tjera të luftës dhe gjenocidit, të mbesin një kujtim i hidhur i së kaluarës dhe të shërbejnë si mësim për gjeneratat në ardhje. Kjo rezolutë është një goditje e fortë e reputacionit të Serbisë dhe shpresojmë që përgjegjësit të ndëshkohen në mënyrë meritore dhe reparacionet e luftës të paguhen nga shkaktari i këtyre krimeve të llahtarshme. Ne si Kosovë, duhet t’i falënderohemi shteteve që patën guximin moral dhe njerëzor për miratimin e kësaj rezolute, e cila për nga rëndësia që ka, është satisfaksion për gjitha viktimat e gjenocidit në botë. Dashtë Zoti që të mbretërojë paqja e përhershme dhe të mos jemi më as ne e as fëmijët tonë dëshmitarë të krimeve të tilla.