23:31 / E Hënë, 08 Mars 2021 / AR

Babai i të plagosurit në Badovc: Veç qet djalë e kam, çka m’vyn mu jeta nëse shkon ai?

Indeksonline sot ka raportuar për tentim grabitjen dhe plagosjen e dy personave te Liqeni i Badovcit.

Muhamet Krasniqi, babai i njërit prej të plagosurve ka thënë se nuk është optimist për gjendjen e djalit të tij, ndonëse po lutet që të shpëtojë.

Krasniqi mbeti i plagosur sot në një sulm me armë teksa bashkë me kolegun e tij, që të dy punëtorë sigurimi, po transportonin para.

“Gjithmonë kam pasë frikë prej se o hi o punësu aty. Gjithmonë mendojmë me shpresë që do të kalojmë mirë. N’gjoks [është plagosur]. Ishalla pshton, po une nuk jom optimist“, u shpreh ai për Klan Kosovën.

Krasniqi ka njoftuar se djali i tij e ka vetëdijen mirëpo ka humbur shumë gjak, teksa ka shprehur uratën që raste si ky i sotmi të mos ndodhin kurrë më.

“Osht me vetëdije po ka shumë gjakderdhje. Ishalla shpëton. Lus Zotin ishalla tjerët shpëtojnë e nuk ndodh një rast i tillë më. Qet djalë t’vetmin e kam. Çka m’vyn mu jeta ma me m’shku ky djalë?”.

Ndërkohë për Indeksonline mjeku kujdestar në QKUK, Naser Syla ka deklaruar se pas intervenimit, gjendja shëndetësore e dy të plagosurve është stabile.

Pas qëndrimit disa orësh në Emergjencë, ata janë transferuar në klinikat tjera, njëri në Kirurgji Torakale e tjetri në një klinkë tjetër.

Ata do të vazhdojnë të jenë nën vëzhgimin e mjekëve, megjithatë gjendja e tyre mbetet stabile./Indeksonline/