09:46 / E Hënë, 09 Shtator 2019 / indeksADMonline

Bahamas mbron masat që ka marrë ndaj uraganit “Dorian”

Zyrtarët e ishujve Bahamas kanë mbrojtur masat që kanë marrë ndaj uraganit “Dorian”, pas shkatërrimit, që ka lënë pas stuhia javën e kaluar, duke vrarë të paktën 43 persona.

Banorët e ishujve Abako kanë akuzuar qeverinë për dështim të ofrimit të ndihmës dhe mashtrime.

Mirëpo zyrtarët kanë mohuar se është bërë ndonjë manipulim me numrin e të vdekurve. Numri i viktimave mund të rritet në qindra, meqë ende ka shumë njerëz që janë zhdukur.

Kombet e Bashkuara kanë thënë se rreth 70.000 persona kanë nevojë për ushqim dhe strehim.

Uragani “Dorian” ka përfshirë veriun e Bahamasit, teksa stuhia ka qenë në kategorinë e pestë me erëra deri në 300 kilometra në orë.

Mijëra banorë të Abakos, që është dëmtuar më së rëndi nga stuhia, janë dërguar në kryeqytetin Nasau, pasi aty zyrtarët kanë thënë se mund t’i strehojnë këta persona nëpër tenda.

Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), ka thënë se është duke punuar me Qeverinë në Bahamas për të ofruar ndihmë në strehim, kujdes shëndetësor, ushqim dhe ujë.

Uragani “Dorian” tashti është shndërruar në ciklon posttropikal. Të shtunën ai ka përfshirë provincën kanadeze, Skocia e Re, duke lënë pa energji elektrike më shumë se 450.000 persona.