20:10 / E Hënë, 01 Qershor 2020

Bahtiri: Vendimi i Kushtetueses skandaloz, nënshkruajeni peticionin si vullnet për zgjedhje të reja

Pas publikimit fillestar para pak ditësh, sot Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka publikuar të plotë vendimin e saj mbi dekretin e presidentit, raporton Gazeta Online Veriu.info.

Menjëherë pas publikimit të plotë të tij ka reaguar kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, i cili këtë vendim e ka quajtur skandaloz, të porositur, të dëmshëm për demokracinë dhe si i tillë do të sjellë pasoja edhe në të ardhmen.

Bahtiri ka theksuar se zgjidhja e vetme është të shkohet në zgjedhje të reja pasi ajo është rruga më e drejtë dhe me demokratike.

Po ashtu kryetari Bahtiri ka bërë thirrje qytetarëve që të nënshkruajnë peticionin si vullnet për shkuarje në zgjedhje të reja.

Postimi i plotë i Bahtirit në Facebook:

Të dashur qytetarë,

Unë nuk kam dashur të deklarohem deri në publikimin e plotë të vendimit nga Gjykata Kushtetuese për dekretin e presidentit, ku sot u zhgënjeva edhe më shumë e më keq, se sa me rastin e publikimit të vendimit fillestar.

Ky vendim mendoj që është skandaloz, i porositur, i dëmshëm për demokracinë dhe do të sjellë pasoja edhe në të ardhmen, ku do të kemi problem si shtet për të ndërtuar institucione të qendrueshme dhe me legjitimitet që buron nga vullneti i qytetarëve.

Si pasojë e këtij vendimi, edhe në të ardhmen do t’iu krijohet mundësi pazarxhinjve dhe humbësve për ta krijuar qeverinë pa fituesin e përcaktuar nga populli.

Prandaj, e ritheksoj se vendi duhet të shkoj në zgjedhje, sepse kjo është rruga më e drejt dhe më demokratike.

Ju bëjë apel gjithë qytetarëve brenda dhe jashtë vendit, që ta tregojnë vullnetin e tyre për të shkuar në zgjedhje përmes nënshkrimit të peticionit.

AB