13:42 / E Diele, 13 Janar 2019 / indeksADMonline

‘Bajraktari’ i grevës në QKUK, fotoja që ngrit dyshime mbi qëllimin e kirurgëve

Kirurgët e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës bashkë me ata të spitaleve regjionale të Gjakovës dhe Gjilanit kanë më shumë se tre javë që janë në grevë.

Ata janë bashkuar për të kërkuar pagë dinjitoze për punën që bëjnë. Përkundër disa takimeve mes tyre dhe krerëve të shëndetësisë kosovare, zgjidhje për ndaljen e grevës nuk pati.

Një gjë e tillë e ka reduktuar tejmase numrin e operacioneve që kryhen në QKUK, duke e sjell atë pranë një kolapsi intervenimesh, pasi vetëm rastet emergjente po trajtohen nga kirurgët grevistë.

Ndërkohë, një koleg i kirurgëve të QKUK-së ka dërguar fotografi gjatë fundjavës në adresë të Gazetës Shneta ku ka treguar për një takim që ngrit dyshime mbi qëllimin e grevës së kirurgëve. Në foto shihen bashkë kardiologu Gani Bajraktari dhe njëri nga përfaqësuesit e grevës së kirurgëve, Dr. Arbër Morina.

Ata shihen së bashku në një nga lokalet në hapësirat e QKUK-së, e sipas mjekut që e ka dërguar këtë fotografi, ata të dy kanë diskutuar për grevën. Mjeku i cili ka insistuar që të mbetet anonim, ka hedhur dyshime se Bajraktari po e nxit grevën e kirurgëve si hakmarrje ndaj menaxhmentit të QKUK-së për suspendimin e tij nga puna para disa muajsh.


Bajraktari ishte pezulluar pikërisht nga menaxhmenti i tanishëm i QKUK’së për t’u rikthyer më pas nga një vendim i Inspektoratit të Punës. Ai po ashtu po përballet edhe me dy procese gjyqësore: Atë të rastit Stenta si dhe për keqmenaxhim të parasë publike, sa ishte në krye të Kardiologjisë.

Ndryshe, drejtori i SHSKUK’së, Dr Basri Sejdiu, ditë më parë mbajti një takim me kirurgët grevistë por pa arritur t’i bindë ata për të ndalur grevën. Madje, takimi duket se shkoi edhe më keq për të, pasi në një intervistë dhënë për televizionin publik ai i akuzoi ata se në QKUK po mbajnë grevë, teksa në sektorin privat po punojnë.

Sipas Ligjit të Pagave, rroga e një kirurgu pas aprovimit në Kuvendin e Kosovës do të jetë 1,200 euro. Megjithatë, grevistët kërkojnë që paga e tyre të mos jetë më e vogël se e gjykatësve dhe prokurorëve. /Gazeta Shneta/