12:45 / E Premte, 30 Shtator 2022 / k.v

Bajrami: Shteti të çohet në këmbë deri në gjetjen e vajzave të zhdukura

Që nga data 23 shtator dy vajza studente nga Peja, njëra 18 e tjetra 19 vjeçare vazhdojnë të figurojnë të zhdukura.

Për këtë ka reaguar deputetja e LDK-së Hykmete Bajrami e cila ka kërkuar që i gjithë shteti të ngritët në këmbë deri të gjinden dy vajzat e zhdukura.

Ajo thotë të jetë tmerruar me lajmin për zhdukjen e vajzave derisa thotë se kjo çështje po kalon pa angazhim e pa shumë vëmendje nga shteti.

“Sot një javë, dy studente nga Peja janë zhdukur. Vajzat sipas raportimeve kanë dalë nga shtëpitë e tyre fshati Qyshk e Treboviq dhe janë nisur për në Universitetin ”Haxhi Zeka” në Pejë. Si nënë e dy vajzave ky lajm me ka tmerruar dhe prej momentit që e kam dëgjuar nuk mendoj asgjë tjetër. Për çudi, kjo ngjarje po kalon pa shumë vëmendje, pa shumë angazhim të shtetit, të institucioneve shtetërore”, ka shkruar ish ministrja e Arsimit.

“Ku është Ministri i Brendshëm? Ku është Policia e Kosovës? Ku është Prokuroria e Shtetit? Ku është Agjencia Kosovare e Inteligjencës? Ku është Forca e Sigurisë së Kosovës?”, ka pyetur ajo.

Sipas saj të gjitha institucionet përgjegjëse do të duhej të mbanin konferenca të përditshme për të treguar se çka po ndodhë me rastin.