21:18 / E Premte, 10 Prill 2020 / indeksADMonline

Ballkani kampion? – Munishi tregon si duhet të mbyllet kampionati

Trajneri i Ballkanit, Ismet Munishi, ka thënë se nëse vendoset që kampionati të mbyllet para kohe, atëherë nuk duhet të lejohet të bie asnjë klub nga Superliga e Kosovës, përderisa ka sugjeruar që për kreun e tabelës të ndiqet shembulli i ligave të tjera, duke sugjeruar që Ballkani të shpallet kampion.

Sezoni 2019/20 i Ipko Superligës së Kosovës është pezulluar përkohësisht shkaku i përhapjes së koronavirusit, që ua ka pamundësuar klubeve jo vetëm t’i zhvillojnë ndeshjet, por edhe të mbajnë seanca stërvitore.

Kampionati u pezullua në një moment kur gara për titullin ishte mjaft e zjarrtë, me katër klubet e para që kishin dallim prej vetëm tre pikësh mes vete.

Megjithatë, lider i tabelës është aktualisht Ballkani, e përderisa garë e ngushtë është edhe në zonën e rrezikut, ku për momentin radhiten Trepça ’89, Ferizaj, Vushtrria dhe Dukagjini.

“Nëse eventualisht nuk zhvillohet kampionati, ne do të përballemi me dy sfida, e para është sfida financiare, për të cilën folëm shumë. E dyta është sfida garuese”, ka thënë Munishi në emisionin sportiv “Favorit”.

“Unë bëj apel që të mos bjerë asnjë skuadër nga kategoria, që kampionati tjetër të vazhdojë me më shumë skuadra në Superligë, që edhe ato që futen prej Ligës së Parë, që vitin tjetër ta kemi një garë më korrekte”.

“Kjo pasi që nuk do të ishte korrekte që në këto rrethana të rrëzohet ndonjë skuadër nga Kategoria padrejtësisht, sepse ka edhe shumë pikë në lojë, ka edhe shumë ndeshje për t’u luajtur. Vitin tjetër kampionati do të ishte më interesant”.

“Për këto skuadrat lart, tashmë veçse dihet… siç i marrin këto klubet edhe Federatat tjera, ashtu do të veprojë edhe Federata jonë, nuk kam asnjë pikë dyshimi”.

Munishi më tutje tha se do ta pranojë çfarëdo vendimi të Federatës së Futbollit të Kosovës, përderisa ka shtuar se pret që sezoni të rinis me ndeshjet e zhvilluara prapa dyerve të mbyllura.