08:09 / E Hënë, 06 Gusht 2018 / indeksADMonline

“Ballkani Perëndimor përballë sfidash me luftëtarët e kthyer”

Problemi i rekrutimit të luftëtarëve të huaj nga rrjete terroriste si Shteti Islamik ishte një sfidë e mprehtë për Ballkanin Perëndimor pak vite më parë, por falë një mobilizimi të qeverive të rajonit, rekrutimet nuk janë më problemi aktual.

Tani këto vende përballen me problemin e neutralizimit të rrezikut që mund të paraqesin luftëtarët e kthyer nga fushë-beteja në Irak dhe Siri. Studiuesi

Adrian Shtuni, i cili punon si konsulent për çështje të sigurisë, shkruan në një artikull të fundit se Ballkani Perëndimor ndeshet aktualisht me mungesa në burimet financiare për t’iu përgjigjur rrezikut dhe mangësi në kapacitetet njerëzore për t’i ndihmuar këta individë në tranzicionin drejt një jete normale, gjë që po e vështirëson trajtimin e problemit të të kthyerve.

Shtuni ka krahasuar shifrat e luftëtarëve të kthyer për katër vende ballkanike me katër vende të Evropës Perëndimore dhe megjithëse numri total i të kthyerve është i ngjashëm në të dy rajonet, vendet e Ballkanit Perëndimor kanë institucione më të dobëta dhe vuajnë nga mungesa të theksuara në kapacitete njerëzore e financiare.

“Janë kthyer diku 311 veta, nga ata që dihen dhe u bë një krahasim me një fluks të të kthyerve në vendet e tjera të Evropës, kryesisht në BE për të parë se si janë numrat e të kthyerve për capita (për frymë) dhe se cilat janë kapacitetet që kanë vendet për t’u përballur me sfidën, jo vetëm me rrezikshmërinë sociale sepse të kthyerit kanë edhe nevoja për të cilat kërkojnë mbështetje të specializuar, janë edhe të traumatizuar dhe do të kërkojnë edhe rehabilitim edhe reintegrim në shoqëri, sidomos mbas kryerjes së vuajtjes së dënimit”.

Studiuesi thotë se reagimi i të kthyerve ka qenë i ndryshëm pas rivendosjes në vendet e tyre dhe pas vuajtjes së dënimit për aktet e paligjshme:

“Ke nga ata që janë të arrestuar, kanë vuajtur dënimin dhe kanë dalë, nuk kanë treguar vazhdimësi përkohësisht, për sa dihet ndikimeve radikale. Ka edhe të tjerë që nuk ka rëndësi se kanë vuajtur dënimin, sa kanë dalë kanë vazhduar t’u bashkëngjiten të njëjtave grupe sociale, kanë vazhduar të njëjtat aktivitete, qofshin online ose në terren”.

Ky kontingjent vazhdon të përbëjë rrezikshmëri, thotë Shtuni, por ku rrezik nuk duhet parë veçmas por si pjesë e rrezikut të përgjithshëm nga kontingjenti “që ka qëndruar në Ballkan dhe nuk ka shkuar në Siri, apo Irak, apo vende të tjera. Të kthyerit janë vetëm një pjesë e mozaikut të problemit”.

Problemi kryesor, thekson ai, është ballafaqimi me problematikën që paraqesin këta të kthyer për vende me probleme të shumta institucionale e financiare.

“Çdo gjë është e lidhur me fondet dhe kapacitetet njerëzore që ke për t’i dedikuar problemit. Po t’i shikojmë numrat në Ballkan të kthyerit, 94% janë në katër vende: Bosnje, Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni. Këto kanë 30 të kthyer për milion banorë. Po t’i krahasojmë me katër vende të tjera në Bashkimin Evropian: Danimarka, Belgjika, Holanda dhe Austria që kanë një numër total të ngjashëm të të kthyerve – 309 – ato kanë 7 të kthyer për milion banorë sepse janë vende më të mëdha. Po ashtu po ta shikojmë për sa i përket aftësisë financiare për t’u përballur me problematikën, buxhetet e katër vendeve të Ballkanit janë vetëm 2.4% e buxheteve të këtyre katër vendeve. Kjo tregon mjaft mirë se sa kapacitete janë për t’u përballur me këtë problem, sepse nuk është vetëm problemi i sigurisë, është edhe problemi i rehabilitimit, problemi i punësimit, problemi i ndihmesës së specializuar që duhet të jepet, sepse të kthyerit janë edhe të traumatizuar”.

Në aspektin social dhe personal, studiuesi thotë se shoqëritë ballkanike ofrojnë shumë faktorë pozitivë për rikthimin e këtyre individëve në jetë normale, por gjithashtu edhe sfida që nuk vërehen në Perëndim.

Ri-integrimi mund të jetë “edhe pak më i lehtë, por edhe pak më i vështirë në dy aspekte. Pak më e lehtë sepse ka më tepër solidarizim në aspektin familjar po ta shikojmë në trajta të gjera; janë vende më kompakte, familja gjendet më afër personave, zakonisht. Nga ana tjetër ka për të qenë pak më e vështirë pasi janë shoqëri më të vogla, shoqëri ku të gjithë njohin njëri-tjetrin, nuk është e kollajshme të gjesh punësim, nuk është e kollajshme t’i edukosh fëmijët kur mund t’i dhe të thonë ‘djali i terroristit’ apo ‘vajza e terroristi’. Këto janë probleme të cilat duhet të trajtohen, sepse mund të japin shtysë krijimit të problemeve të mëtejshme në të ardhmen”.

Studiuesi Adrian Shtuni thotë se qeveritë e Ballkanit Perëndimor janë tani më të përgatitura për t’u përballur mes problemin e radikalizimit, megjithatë “ka nevojë për përmirësim, ka nevojë për rritje të kapaciteteve, pasi edhe siç e treguam nga numrat, pjesa e problemit me të cilën po përballet Ballkani është goxha e madhe duke pasur parasysh edhe kapacitetet shumë të limituara që ka në aspektin qoftë të mjeteve, qoftë edhe kapacitetet njerëzore”. /VoA/