13:35 / E Shtunë, 11 Maj 2019 / indeksADMonline

Banka Botërore: Shqipëria ka arritur konsolidim fiskal

Shqipëria ka arritur të konsolidojë sistemin fiskal, një nga treguesit më të rëndësishëm të ekonomisë që është bazë për rritjen e të ardhurave, investimet dhe punësimin.

Ky fakt është vlerësuar edhe në raportin e publikuar së fundmi nga Banka Botërore mbi ekonomitë në vendet e Ballkanit Perëndimor, ku citohet se, “vendi që ka arritur konsolidim fiskal, është Shqipëria”.

Politika e konsolidimit fiskal, një prej objektivave kryesor të qeverisë, po konkretizohet përmes zbatimit të politikave të reja fiskale ku në themel qëndron impakti në përmirësimin e klimës së biznesit, si dhe vendosja e transparencës financiare, në drejtim të mbledhjes së të ardhurave, shpenzimeve dhe investimeve në ekonominë e vendit.

Institucioni më i rëndësishëm bankar botëror duke u ndalur në fushat që mund të ndihmojnë në rritjen e produktivitetit, citon se, “për një rritje më të shpejtë të ekonomisë dhe të punësimit, reformat duhet të përfshijnë politikat e konkurrencës, taksimin e punës, rritja e impaktit që ka ndarja e taksimit të të ardhurave personale, diversifikimi i sektorit fiskal, përmirësimi i eksportit si dhe lidhjet ekonomike”.

“Kryerja e reformave në këto fusha do t’i mundësojë vendit që të kapë mundësinë që i jep hyrja në BE, si dhe të jetë në gjendje të konkurrojë në mënyrë të barabartë me vendet e BE-së”, thuhet në raportin e BB.

Raporti vë theksin në faktin se, investimi në zhvillimin e fëmijëve në moshë të hershme do të ndihmojë në përmirësimin e performancës në fushën e dijes, si dhe të fuqizojë studentët me aftësitë që i duhen punëdhënësve.