13:26 / E Mërkurë, 04 Prill 2018 / indeksADMonline

Banorët e Hadës protestuan për vonesën e zhvendosjes

Banorët e fshatit Hade të mbështetur nga Forumi për Iniciativa Qytetare sot kanë protestuar për vonesën e procesit të zhvendosjes dhe anashkalimin e fshatit Hade.

“Dislokim i menjëhershëm i fshatit Hade”, “Nuk ka jetë në fshatin Hade”, “Punësim”, “Jo mësim i përbashkët kl 1-3, kl 2-4”, janë disa nga kërkesat e këtyre banorëve të shkruara na pankarta.

Ragip Granqevci, përfaqësues i fshatit Hade tha se që nga vitit 2004 këtyre banorëve iu është premtuar zgjidhje dhe zhvendosje por kjo ende nuk ka ndodhur , ndërsa tani këta banorë po jetojnë në pjesën e fshatit e cila është mjaft e rrezikuar dhe ka shumë zhurmë.

Ai tha se po kërkojnë që edhe qendra e këtij fshati të jetë e përfshirë në projektin për zhvendosje.

“Projekti për zhvendosjen tonë ka ngelur, nëse anashkalohemi edhe këtë herë nga projekti i tanishëm premtojnë se nuk do jemi përkrah të projekteve tuaja por do mbrojmë pronat tona në mënyrë ligjore, është momenti i fundit”, tha ai.

Burim Gërguri, kryetar i Kuvendit Komunal të Obiliqit, u ofroi përkrahje banorëve.

Gërguri tha se me qeverinë Haradinaj do të zgjidhet problemi i gjithë banorëve të Hadës.

Kurse, banorja e Hades, Sanije Granqevci tha se banorët e këtij fshati po përjetojnë tmerrin e vërtetë.

Ajo tha se janë mbledhur sot për t’u treguar udhëheqësve vendor se nuk do lejojnë manipulimin me pronat e tyre.

Drejtoresha e Forumit Iniciativa Qytetare , Dajana Berisha duke u shprehur e brengosur për gjendjen e këtyre banorëve, tha se edhe pas 14 viteve gjendja e tyre vazhdon të jetë në pikën zero.

Sipas saj ,mos zhvendosja e këtyre banorëve është dështim i qeverive të vendit dhe bankës botërore.

Përfaqësuesit e fshatit paralajmëruan se do të takohen me nënkryetarin e komunës, Ajet Berisha për të gjetur zgjidhje.