13:26 / E Mërkurë, 15 Korrik 2020 / indeksADMonline

Banorët e lagjes “20 qershori” të Podujevës, ndihen të rrezikuar nga Ordinanca Pulmologjike, që punon në hyrje të një ndërtese

Situatë me Covid-19 në mbarë vendin është shqetësuese, për faktin se numri i rasteve të të prekurve çdo ditë kalon shifra trishifrore, ndërsa edhe numri i rasteve të infektuar nga korona e që kanë përfunduar me fatalitet ka arritur në 108 persona.

E në një situatë të tillë, ku çdo kush ndihet i rrezikuar, janë banorët e lagjes “20 qershori”, në Podujevë që kanë një shqetësim.

Në hyrje të ndërtesës kolektive, në këtë lagje e që ndodhet edhe qendra emergjente, funksionon një Klinike Pulmologjike.

Banorët e shqetësuar, meqë numri i pacienteve që frekuentojnë këtë ordinancë private është i madh, sot kanë vendosur të protestojnë.

Ata në kushte anonimiteti i kanë thënë IndesOnlinet, se për këtë rast disa herë kanë ardhur edhe Inspektorati, por se asgjë nuk ka ndryshuar.

“Në ndërtesë, ka të moshuar, ka fëmijë, e për të cilët ne po shqetësohem. Kjo pasi që në hyrje të ndërtesës është Ordinanca Pulmologjike, e në të cilën vijnë pacient të ndryshëm e që kanë probleme me mushkri, e pikërisht kjo po na shqetëson. Virusi mund të bartet, dhe pacientet që kthehen disa herë nga mjekët, kur e kuptojnë që janë me Covid-19, po na rrezikojnë”, thotë një banore në kushte anonimiteti për IndeksOnline.

Ajo thotë se nuk po kërkojnë mbylljen e ordinancës, sepse nuk duan që njerëzit të mbesin pa punë në këtë kohë të vështirë, por se t’i bëhet një zgjidhje, që pacientët të mos hyjnë andej nga hyjnë dhe banorët për në banesat e veta.

Andaj sot me fillim nga ora 15:30, banorët e kësaj lagjeje kanë paralajmëruar një protestë simbolike, e cila është e njoftuar edhe në organet e rendit.