13:33 / E Mërkurë, 30 Tetor 2019 / indeksADMonline

Barazia gjinore – sfidë për institucionet e Kosovës

Zbatimi i Ligjit për barazinë gjinore mbetet sfidë për Kosovën, andaj Qeveria e re duhet ta marrë parasysh barazinë gjinor.

Kështu u tha nga panelistët me rastin e publikimit të analizës gjinore të Programit Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes mbi Stabilizim-Asociim të Kosovës me Bashkimin Evropian nga  Instituti Kosovar për Hulumtim dhe Zhvillim të Politikave (KIPRED), projekt i mbështetur nga Ambasada norvegjeze në Kosovë në bashkëpunim me Fondacionin Kosovar për Shoqëri Civilë (KCSF).

Drejtoresha e Programit në KIPRED, Ariana Qosaj-Mustafa tha se është e domosdoshme që perspektiva gjinore të jetë pjesë në secilin dokument  që e harton Qeveria e Kosovës. Sipas saj, ligji për barazi gjinore duhet edhe të gjejë zbatim e jo të miratohen vetëm sa për t’i pasur.

Qosaj-Mustafa tha se në bazë të hulumtimit ka rënie në vëmendjen sa i takon respektimit të barazisë gjinore.

“Edhe pse Kuvendi i Kosovës në vitin 2015 ka hartuar dhe ka miratuar Ligjin për Barazi Gjinore mendimi ynë është që ligjet nuk duhet të hartohen dhe miratohen vetëm sa të kemi një ‘tik’, të themi që kemi vullnet politik dhe që jemi duke i hartuar këto ligje, por në fakt ne ligjet i kemi aty edhe që t’i zbatojmë. Përgjegjësit institucionale kanë shumë të qarta, të cilat duhet të zbatohen dhe zbatimi i perspektivës gjinore që e kërkon Ligji për Barazi Gjinore është pjesë e secilit dokument strategjik  apo secilin dokument që do ta hartojë Qeveria duhet të ketë pjesë esenciale e tij”, tha ajo.

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Jens Erik Grondahl  teksa kërkoi më shumë përkushtim institucional për zbatim të Ligjit për Barazi Gjinore, tha se ky aspekt është kyç për Bashkimin Evropian.

“Duhet të vazhdoni të punoni në këtë aspekt. Në MSA-në dhe Agjendën e Reformës Evropiane gjithashtu edhe konvertimin e standardeve evropiane që janë mundësi të barabartë Ligjin e Punës dhe mbrojtja kundër diskriminimit. Po mirëpres më shumë raportime dhe gjetje dhe rekomandimet e përfshira në raport dhe shpresoj që të merret parasysh nga qeveria”, tha ai.

Ndërsa, zyrtarja për politika në Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë, Maria Berishaj-Sylejmani tha se zbatimi i Ligjit për Barazi Gjinore në Kosovë mbetet sfidë, dhe se për këtë arsye gjinia femërore është pak e përfaqësuar në politikat lokale dhe qendrore.

Sipas saj, në këtë drejtim deri tani është parë një reagim i dobët, derisa pret nga Qeveria e ardhshme e Kosovës që barazinë gjinore ta ketë prioritet të saj.

“Është një kërkesë ligjore që e bënë të detyrueshme  për politikat për të bërë integrimin gjinor.  Kemi vënë re se përfshirja gjinore nuk do të përkthehet në zbatim, megjithatë është e rëndësishme që të përfshihet çështja gjinore dhe veprimet të jenë të caktuara të hollësishme ku indikatorët parashohin zbatimin e tyre në mënyrë që ky zbatim të monitorohet. Institucionet relevante të cilat bëjnë hartimin e dokumenteve duhet të kenë përkushtim për barazi gjinore. Qeveria e re duhet t’i merr parasysh dhe të inspektojë barazinë gjinore kur të bëjë emërimin e qeverisë të ardhshme për të marrë parasysh edhe balancën gjinore”, tha Berishaj-Sylejmani.

Sekretari i përgjithshëm në Ministrinë e Integrimeve Evropiane, Kushtrim Cukaj deklaroi se si ministri i kanë thënë hapësirë të veçantë perspektivës gjinore. Ai pret që institucionet e reja të Kosovës ta marrin me më prioritet trajtimin e kësaj çështje.

“Ne si ministri kemi angazhim të veçantë në këtë drejtim së bashku me institucionet tjera të Republikës së Kosovës, besojmë në këtë drejtim që institucionet e reja që do ndërtohen së shpejti qeveria do ta trajtojë këtë çështje me prioritet dhe do të ndërmarrë të gjitha ato masa që ne si ministri apo edhe procesi i integrimit drejt Bashkimit Evropian ta gjejë hapësirën e duhur dhe çështja e avancimit të barazisë gjinore, sepse është domosdoshmëri, është nevojë“ , tha Cukaj.

Hulumtimi rreth analizës gjinore të Programit Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes mbi Stabilizim-Asociim të Kosovës me Bashkimin Evropian ka treguar më tej problemet të vazhdueshme në kapacitete dhe njohuri themelore në lidhje me barazinë gjinore nëpër institucione.

Këto mungesa të kapaciteteve sipas hulumtimit përfshijnë mungesë njohurish mbi kërkesat LBGJ dhe PKZMSA që kanë të bëjnë me integrimin gjinor dhe barazinë gjinore, por gjithashtu njohuri shumë të ulëta në kërkesat lidhur me gjininë dhe çështjet e barazisë gjinore brenda sektorëve të punës.

Hulumtimi po ashtu ka treguar se barazia gjinore, integrimi gjinor dhe parimet e barabarta të përfaqësimit janë vazhdimisht duke lënë pas dore gjatë gjithë procesit të rishikimit dhe hartimit të MSA-së së re dhe miratimit të planeve të reja të veprimit të PKZMSA-së.